Brenda 6 muajve të parë të vitit të ardhshëm, të gjithë banorët e prekur nga tërmeti në ndërtesa individuale do të sistemohen në shtëpitë e tyre të riparuara, ndërsa deri në Pranverë, qeveria do të ketë hapur kantierët e ndërtimit të lagjeve të reja për të dëmtuarit e tërmetit të cilët kanë patur apartamente.
Kryeministri Edi Rama i bëri këto premtime pas një analize të gjatë me anëtarët e kabinetit të tij dhe përfaqësuesit e kryesisë socialiste, e cila zgjati më shumë se 8 orë, në një nga hotelet në Golem, ku janë strehuar dhjetëra familje të prekura nga tërmeti. Përveç axhendës intensive të rindërtimit, Rama tha se nuk do të harrohen edhe prioritete të tjera të rëndësishme.
Kreu i qeverisë tha se plani i rindërtimit pas dëmeve të tërmetit nuk do të heqë fokusin as nga prioritet kyçe të qeverisë në infrastrukturë, energji dhe zgjidhjen e çështjes së pronës. Pas shpalljes së tenderit të Aeroportit të Vlorës, së shpejti do të hapet gara edhe për rrugën Thumanë-Rrogozhinë, Tunelin e Llogarasë, parkun me panele diellore në Divjakë, ndërtimin e kampusit të Universitetit dhe automatizimin përmes sistemit online të çdo dokumenti që lëshohet nga sportelet e administratës dhe lehtësitë e Minishengenit. Për shpërblimin e pensionistëve ai tha se ende nuk është vendosur, por çështja do të diskutohet në mbledhjen e radhës të qeverisë.
Edi Rama mohoi zërat për ndryshime në kabinetin e tij qeveritar, duke u shprehur i kënaqur me punën e ministrave të tij. Më herët në pushimin e mbledhjes, Kryeministri, ministrat dhe anëtarët e kryesisë drekuan së bashku me familjet e dëmtuara nga tërmeti, që janë strehuar në këtë rezort në Golem.
Veritas.com.al/