Kryeministri Rama tha se synimi i vërtetë i Vladimir Putinit është të mundë Perëndimin, jo Ukrainën. “Ai diktatori atje në Kremlin nuk e ka filluar luftën për Ukrainën. Ukraina është sebepi. E ka filluar për të gjunjëzuar gjithë Perëndimin. Dhe ne jemi pjesë e Perëndimit. Rritja e çmimeve në stratosferë të gazit dhe energjisë elektrike është për të gjunjëzuar Perëndimin, për të “futur shejtanin në barkun e miletit” dhe për t’i thënë “çohuni se e kanë fajin këta”…”, tha Rama gjatë një takimi me qytetarët në Peshkopi.
Kryeministri po vijon prej disa ditësh turin e tij në qytete të Shqipërisë, pak muaj nga mbajtja e zgjedhjeve vendore, më 14 maj 2023. Edhe në rrethin e Dibrës ai vlerësoi bukuritë natyrore dhe investimet në agroturizëm. Rama u bëri edhe një herë thirrje të rinjve që ta shohin këtë mundësi si një investim për të ardhmen e tyre.
“Të mendosh të çash detin është legjitime, të mendosh që për 2 orë të arrish aty ku është pasuria më e madhe e botës është legjitime. Të gjithë vendet e kanë kaluar këtë, ne thjesht jemi pak më të vonuar”, tha Rama. “Por sot nuk është siç ishte deri dje. Sot ka mundësi, sidomos për ata që kanë një shtëpi të vjetër, që të fitojnë prej saj. Këtu janë faktet dhe shembujt konkrete. Norvegjezët sot janë sheikët e bardhë të Europës. Pas zbrazjes totale në fillimet e shekullit të shkuar, sepse aty ishte realisht uri, jo kjo uria që thonë këta që nuk e kanë idenë se ku i bie fshati dhe thonë që “po vdesin njerëzit për bukë”. Për bukë shqiptarët nuk kanë vdekur as në kohën e Skënderbeut. Çështja është për të krijuar dhe zhvilluar pasuri”.