Televizioni gjerman “ARD1” i ka dedikuar një reportazh prej 30 minutash rivierës shqiptare duke përshkruar bukuritë e bregdetit tonë. Me titullin “Riviera shqiptare-atje ku dua të shkoj”, televizioni gjerman ka udhëtuar në jug të vendit duke i njohur të gjithë me bukuritë turistike të Shqipërisë.

“Jugu i Shqipërisë ofron një përvojë pushimesh verore që shumë nuk do ta imagjinonin kurrë në Evropë”, thekson ARD1.

“Ujë i kaltër, fshatra bregdetare piktoreske dhe mikpritje e ngrohtë – një parajsë mesdhetare, shumë më afër nga sa mendoni. Reportazhi “Da will ich hin!” (Atje dua të shkoj!) i televizionit ARD na merr me vete në një udhëtim në bregdetin jugor të Shqipërisë”, shkruan Ambasada Gjermane në Tiranë, e cila ka ndarë në faqen zyrtare reportazhin e ARD1.

Gazetarja Simin Sadeghi e nis aventurën e saj shqiptare me ishujt e Ksamilit, në skajin më jugor të vendit, ku Greqia duket në horizont. Lirinë me tërë kuptimin e fjalës ajo e përjeton në rrugën bregdetare SH8, ku ka gjithmonë detin në të djathtë dhe malet në të majtë.

Ajo zbulon qytetin e Gjirokastrës me rrugët e bukura dhe kështjellën e saj historike dhe gjithashtu informohet plotësisht për të kaluarën e errët të Shqipërisë.

Një peshkatar midhjesh e merr atë në një varkë në liqenin e Butrintit dhe në një kopsht ajo njihet me gjërat më të mira të kuzhinës shqiptare. Me një vendas ajo zbulon fshatin piktoresk të Qeparoit dhe shijon ujin e pastër në plazhin e Borshit.