Armëpushimi  hyn në fuqi sonte në mesnatë, në të gjithë vendin

Moska dhe Ankaraja kanë rënë dakord mbi një plan për ta zgjatur armëpushimin e vendosur këto dy javë në Aleppo në të gjithë Sirinë, njoftoi të mërkurën, 28 dhjetor, Agjencia turke e lajmeve Anadollu.

Plani, i cili duhet të hyjë në fuqi në mesnatë, përjashton “grupet terroriste”, saktëson agjencia. Nëse rezulton i suksesshëm, kjo marrëveshje duhet të jetë baza e negociatave politike midis regjimit dhe opozitës, që Moska dhe Ankaraja duan të organizojnë në Astana, Kazakistan, sipas Agjencisë Anadollu.

Bashkëpunim i ngushtë në Siri

Agjencia nuk specifikon se kur dhe se si ishte nënshkruar armëpushimi, por bisedimet janë zhvilluar në Ankara në javët e fundit mes Rusisë, Turqisë dhe opozitës siriane. Më 20 dhjetor, Rusia, Irani dhe Turqia bënë thirrje për një armëpushim të gjerë në Siri, pas konsultimeve të mbajtura në Moskë.

Rusia dhe Turqia janë shumë aktive në Siri, ku ata mbështesin palët kundërshtare. Ankaraja mbështet rebelët ndërsa Moska, ashtu si Irani, është një aleat i ngushtë i regjimit të Damaskut. Por të dy vendet janë angazhuara në një bashkëpunim të ngushtë në Siri këto muajt e fundit, ndërkohë që edhe marrëdhëniet mes tyre janë më të ngrohta.

Turqia qëndroi e heshtur kur presidenti Bashar al-Assad arriti fitoren e tij më të madhe kundër rebelëve që nga fillimi i konfliktit, duke rimarrë të gjithë Aleppo javën e kaluar, në saje të ndihmës së Rusisë.

/Veritas.com.al/