Presidenti Thaçi sapo ka dalë nga dhomat speciale në Hagë, pas marrjes në pyetje nga prokurorët.

Sot ishte dita e katërt kur kreu Kosovës, ish drejtor politik i UÇK është përballur me prokurorin special.

Top Channel mëson se sot ishte dita e fundit e procesit në marrje në pyetje për akuzat e pretenduara se zoti Thaçi është përfshirë në krime lufte.

Kjo do të thotë se seancat e gjata pyetje përgjigje kanë mbaruar dhe presidenti do të kthehet në Kosovë.

Mediat në Kosovë kanë raportuar se presidenti i është përgjigjur të gjitha pyetje dhe nuk e ka ushtruar të drejtën e përgjigjes me “no comment”.

Presidenca e Kosovës nuk ka bërë asnjë koment nëse presidenti i është përgjigjur pyetje apo ka refuzuar tu përgjigjet.

Edhe Dhomat Speciale në Hagë nuk kanë komentuar asnjë detaj se çfarë ka ndodhur në këto katër ditë mes prokurorit dhe zotit Thaçi.

I vetmi koment erdhi të Hënën nga presidenti Thaçi në ditën e parë të marrjes në pyetje kur ai tha se avokati dhe prokurorët atë ditë kishin diskutuar aspektet proceduriale dhe ligjore.

Një ditë përpara vajtjes në Hagë presidenti Thaçi i tha gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu se ai shkonte atje për të paguar çmimin e lirisë së Kosovës.

Gjykatësit e Dhomave speciale kanë kohë deri në Tetor të pranojnë e çuar për gjykim çështjen ose të rrëzojnë akuzat e prokurorit special.

Gjatë fjalës së tij për mediat pas marrjes në pyetje ditën e sotme, Thaçi tha:

“Sapo përfundova dëshminë në Dhomat e Specializuara. Më vjen mirë që për katër ditë me radhë kisha mundësinë të japë sqarimet e mia për aktivitetin tim gjatë luftës”

“Tani i mbetet prokurorit dhe gjyqtarit ta gjykojë dëshminë time. Unë besoj se do të gjykohem drejt dhe paanashëm në atë çka kam dëshmuar. Unë s’kam bërë asnjë krim dhe se lufta e UÇK ishte lufte e drejtë për liri e Kosovës”

“Unë sonte nuk kam të drejtën të flas për asnjë informacion lidhur me dëshminë time tash e katër ditë. Mirëpo lidhur me pyetjen tuaj mund të konfirmoj se nuk jam pyetur për pretendimet e Dick Martit në asnjë rast”, ka thënë Thaçi.

VERITAS.COM.AL/