Kosova do të përfaqësohet nga Presidentja Vjosa Osmani në samitin për Ukrainën që do të mbahet më 28 shkurt në Tiranë. Zelensky pritet të mbërrijë mbrëmjen e 27 shkurtit në Tiranë, ndërsa më datë 28, të mërkurën, do të marrë pjesë në samitin ku do të marrin pjesë edhe disa nga zyrtarët më të lartë të Brukselit, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Europës Juglindore.

Vizita e Zelensky për herë të parë në Tiranë, vjen vetëm disa ditë nga dy vjetori i nisjes së agresionit rus në Ukrainë.

Pjesë e këtij samiti, përmes një video mesazhi do të behet edhe Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, siç njoftoi vetë kryeministri Edi Rama nga Ankaraja më 20 shkurt.

Më pas, Osmani do të marrë pjesë edhe në samitin e Ballkanit Perëndimor me datë 29 shkurt, ku do të jenë të pranishëm edhe liderët e 6 vendeve të rajonit.

Fokusi i këtij takimi do të jetë tek plani i rritjes ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rruga drejt integrimit europian, ndërsa pritet të jetë e pranishme edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen.