Kështu të paktën ka bërë të ditur zëdhënësi i DASH-it, Ned Price, i cili ka theksuar faktin se për SHBA-të është kënaqësi kur liderët shtetëror të Kosovës dhe Serbisë pranojnë të takohen në Bruksel në kuadër të bisedimeve.
“Ne e mbështesim plotësisht dialogun. Për ne është e rëndësishme fakti se të dy palët po e përdorin këtë mundësi për të çuar përpara bisedimet për normalizim të marrëdhënieve, ne dëshirojmë të shohim përparim dhe zbatimin e marrëveshjeve”.
Dialogu dhe kompromisi, thotë Price, nuk janë shenja dobësie, por janë thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje, e cila është thelbësore si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë kur bëhet fjalë për aspiratat e tyre drejtë BE-së.
“Shpresojmë që liderët në Kosovë dhe Serbi kuptojnë rëndësinë e ecjes përpara, e jo prapa. SHBA nuk po marrë pjesë në dialog, por suksesi i këtyre bisedimeve është prioriteti absolut”.
Në takimin e radhës, të akorduar me 18 gusht (fiks një muaj pas datës origjinale të takimit) në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të jetë i pranishëm edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borell, përveç të dërguarit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Ky takim vjen pas tensioneve të së dielës mbrëma, kur Kosova provoi të aplikoi reciprocitet me Serbinë sa u përket targave dhe hyrje/daljeve të shtetasve serbë, por që u tërhoq me kërkesë të ndërkombëtarëve, duke pranuar propozimin e Borell për një muaj shtyrje të vendimit.
Takimi i fundit i Kurtit dhe Vuçiç-it kishte ndodhur në darkën jo formale me 5 maj në Berlin dhe ishte bërë i ditur për media përmes një fotografie, ku bashkë me Lajçak kishin darkuar në një rezidencë shtetërore të Gjermanisë.
Takimi pati ndodhur pasi paraprakisht Kurti e Vuçiç, veç e veç, ishin takuar me kancelarin gjerman Olaf Scholz.
“Darka ishte një mundësi për dy liderët për të shkëmbyer pikëpamje rreth Dialogut në një mjedis joformal”, pati thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano për Albanian Post, pyetur rreth përmbajtjes së takimit të mbajtur në Berlin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ndërmjetësit evropian, Miroslav Lajçak.
/