Shtetet e Bashkuara do të ndryshojnë strategjinë ushtarake në Europë, e pohuar kjo nga vetë presidenti Joe Biden në samitin e NATO-s në Madrid, ku theksoi se pas pushtimit rus të Ukrainës, Amerika po përmirëson qëndrimin e saj në raport me forcat e vendosura në kontinentin e vjetër.

 Do të ketë një shtim të tyre, tha Biden, që nenvizoi se “NATO është e fortë dhe e bashkuar dhe hapat që po ndërmarrim gjatë këtij samiti, forca kolektive do të rritet akoma edhe më tej.

Po njoftoj sot se Shtetet e Bashkuara do të përmirësojnë situatën e forcave tona në Europë dhe do t’i përgjigjen mjedisit në ndryshim të sigurisë, si dhe do të forcojnë atë kolektive. SHBA po krijon një seli të përhershme në Poloni, do dërgojnë dy skuadrilje shtesë avionësh luftarakë F-35 në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të nisin më shumë mbrojtje ajrore e kapacitete të tjera në Gjermani dhe Itali“, tha Biden.

Presidenti sqaroi se ne Poloni, SHBA-ja do të krijojë Korpusin e Pestë të Ushtrisë së saj, dhe do të forcojë ndërveprimin me NATO-n në të gjithë krahun lindor, teksa po rrit dislokimet me rotacion të trupave në rajonin e Balltikut.

Një ditë më parë, ishte po vetë Biden që njoftoi se Amerika do të lërë edhe dy destrojerë shtesë në bazën e saj detare në Rota të Spanjës. Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht më shumë se 100,000 ushtarë të dislokuar në mbarë Europën, 20 mijë prej të cilëve u nisën që pas pushtimit të Ukrainës.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë parashikon që takimet e kësaj jave të NATO-s do të përbëjnë një moment historik sipas tij, pasi siç thotë, liderët janë vendosur të miratojnë një kornizë të re strategjike, të shpallin një sërë hapash për të rritur shpenzimet dhe aftësitë e tyre të mbrojtjes dhe t’i hapin rrugën anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë historikisht neutral, për të cilat pengesa e fundit, ajo e vetos turke, u hoq.