Shkodër:

Për shkak të erës së fortë gjatë natës dhe defekteve në linjat e tensionit të larte dhjetëra fshatra kanë mbetur pa energji elektrike në Postribë, Shosh, Bërdicë, Dajç, Shalë dhe Pult në Shkodër.

Ndërsa në Velipojë nuk punojnë hidrovoret po për shkak të mungesës së energjisë. Grupet e OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve.

Gjirokastër:

Reshjet kanë vijuar gjatë gjithë natës dhe problemet e para raportohen nga qarku i Gjirokastrës. Rruga Gjirokastër-Lugina e Çajupit ka shembje në të gjithë gjatësinë dhe konsiderohet e rrezikshme për shkak të stuhisë.

Reshjet e dendura po bllokojnë akset rurale drejt Lunxherisë, Picarit, Zhulatit dhe Fushbardhës në Gjirokastër. Ndërsa rruga nacionale pranë shtratit të Drinos e kalueshme vetëm për mjete të larta.

Elbasan:

Lumi Shkumbin që ishte një ndër pikat më kritike në parashikimet që solli një ditë më parë drejtoria e Emergjencave Civile e ka shtuar nivelin këtë të enjte pranë depove të ujit në Cërrik. 10 mijë banorë të Cërrikut dhe fshatrave rrezikojnë të mbeten pa ujë të pijshëm ndërkohë që edhe 20 familje janë në prag të evakuimit.

“Nga depot e ujit, nga puset e ujit, jemi afro 10 metra. Është një situatë që duhet ndërhyrë sot dhe 2018-a për mua do të jetë shumë larg”, u shpreh kreu i Bashkisë Cërrik, Altin Toska.

Durrës:

Në Durrës, situata detare paraqitet e rënduar në Adriatik. Për shkak të detit të trazuar, anija tregtare ‘Envi 1’ në radën e portit dha alarmin pas lirimit të spirancës. Aktualisht, deti regjistron forcën 7-8 ballë me drejtim nga jugu, ndërsa shpejtësia e erës është në rritje.

Për shkak të këtyre kushteve atmosferike vonuan edhe 2 tragetet e linjës Bari-Durrës që duhet të mbërrinin në orën 08:00 mëngjesit e së enjtes nga Bari.

Janë paralajmëruar të gjitha mjetet lundruese të rrisin masat e sigurisë për të shmangur incidentet dhe të mos dalin në det. Në qarqet e tjera nuk ka raportime për probleme, por në ato me risk sipas parashikimeve siç është fieri, u mblodh Shtabi i Emergjencës ku janë përcaktuar objektet që do të strehojnë banorët në rast evakuimesh si dhe janë marrë masat për të siguruar të gjithë bazën ushqimore dhe veshmbathje, nëse do të ketë largime masive nga banesat.

Veritas.com.al/