Marrëveshja e firmosur ditën e djeshme për rrjetin 5G mes Kryeministrit Edi Rama dhe Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken, është përshëndetur edhe nga ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.
Teksa postoi një foto të Ramës dhe Bliken pas marrëveshjes, Kim shkruan se ky takim riafirmoi bashkëpunimin e SHBA dhe Shqipërisë në të gjitha fushat, përfshirë mbrojtjen dhe ruajtjen e infrastrukturës së telekomunikacionit.
“Në takimin e tyre sot, Sekretari i Shtetit Blinken dhe Edi Rama riafirmuan bashkëpunimin dy palësh në të gjithë bordin, përfshirë mbrojtjen dhe ruajtjen e infrastrukturës së telekomunikacionit. Ne gjithashtu presim ecurinë e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombet e Bashkuara. Siç tha Blinken, ‘partneriteti ynë po forcohet dhe thellohet”, shkruan Kim
Ditën e djeshme në Bruksel, Rama zhvilloi takim me Blinken, që në fund u përmbyll me firmosjen e marrëveshjes për koordinimin e teknologjisë 5G mes SHBA dhe Shqipërisë. Shqipëria gjithmonë ka qenë e palëkundur në krah të SHBA sa i përket teknologjisë 5G. SHBA-ja në të gjithë Europën ka bërë një fushatë kundër teknologjisë kineze në fushën e telekomunikacionit, veçanërisht kundër kompanisë kineze Huawei, pasi sipas saj lejon përgjimin dhe vjedh të dhënat.
Edhe nga ambasada amerikane në Tiranë shpesh është lavdëruar vendi ynë për faktin se është i palëkundur në partneritetin me Amerikën duke ua bërë të qartë disa vendeve, referuar Rusisë apo Kinës, se disa gjëra nuk janë në shitje.
Rrjeti i komunikimit 5G është më i shpejtë, me më pak vonesa dhe funksionon në më shumë pajisje, por nga ana tjetër paraqet rrezik për sigurinë. Kompanitë e internetit tashmë kanë filluar shpërndarjen nëpër botë të ofertave për gjeneratën 5G të internetit.
VERITAS.COM.AL