Një deklaratë zyrtare për shtyp është lëshuar nga Këshilli i Sigurimit, nën drejtim aktual të Shqipërisë, ku dënohet sulmi rus i ndërmarrë në një qendër tregtare në Kremenchuk, ku 18 persona mbetën të vdekur e dhjetëra të tjerë të plagosur.
Menjëherë pas sulmit, ishte ambasadori i Ukrainës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Sergiy Kyslytsya, i kërkoi delegacionit shqiptar një mbledhje urgjente të Këshillit.
Pas mbledhjes, Shqipëria, së bashku me Francën, Irlandën, Norvegjinë, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-të dhe vetë Ukrainën, lëshuan deklaratën për shtyp, ku dënohet sulmi dhe kërkohet një hetim i pavarur i ngjarjes.
Më pas, vijohet me mbështetjen e Kievit për integritetin territorial, si edhe me dënimin jo vetëm të sulmit, por të gjithë përshkallëzimit të konfliktit nga ana e Rusisë, prej datës 25 deri më 27 qershor 2022.
“E dënojmë në mënyrën më të ashpër vrasjen e civilëve si rezultat i goditjeve me raketë, në veçanti në qendrën tregtare në Kremenchuk”, shtohet më tej në deklaratë.
Sipas Këshillit, një sërë ligjesh ndërkombëtare janë shkelur prej aktit, ku përfshihen edhe Konventa e Gjenevës e vitit 1949.
Kërkesa për ndalim të menjëhershëm të sulmeve ruse në Ukrainë është theksuar sërish nga Këshilli i Sigurimit, përfshi tërheqjen nga territori i Ukrainës, pasi kjo e fundit gëzon integritet të plotë territorial.
“I kujtojmë të gjitha vendeve anëtare në OKB, se paqja, është i vetmi mjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet, sipas ligjit ndërkombëtar”, përmbyllet deklarata.
Sa i përket kërkesës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për ta përjashtuar Rusinë nga Këshilli i Sigurimit, nën pretendimet se është një shtet terrorist, nuk ka pasur asnjë koment prej vendeve të tjera anëtare në këshill.