Një vit nga vrasja e eksponentit të PS në Elbasan Pjerin Xhuvani ekspertë të policisë dhe prokurorisë po rindërtojnë skemën e krimit.
Lagja “5 Maji” në Elbasan është bllokuar sot nga policia në përpjekjepër të hedhur dritë për një nga krimet më të bujshme i cili u regjistrua vetëm 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021.

Duket se rihetimi i çështjes vjen dhe pas deklaratave të Nuredin Dumanit ku bëhet me dije se ky i fundit ka nxjerrë pista të reja që mund të hedhin dritë mbi krimin.

Në 21 prill të vitit 2021, gjatë një përplasje me armë mes dy grupimeve politike mbeti i vrarë mjeku Pjerin Xhuvani, në atë kohë eksponent i PS ndërsa mbetën të plagosur 4 persona të tjerë mes të cilëve një punonjëse policie.

Pas ngjarjes, në polici u vetëdorëzua si autor i krimit Arbër Papleka, shoqërues i drejtues politik të PD të Elbasanit në atë kohë Gazmend Bardhi.

Papleka, ish efektiv i Reneas qarkullonte në Elbasan i armatosur si pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës, strukturë e cila ishte ngritur nga PD në të gjithë vendin.

Në deklarimet e tij pas ngjarjes Gazmend Bardhi tha se përpjasja mes dy grupimeve ndodhi pasi në makinën ku gjendej Xhuvani ishin evidentuar karta identiteti dhe para që sipas tij po përdoreshin për blerje votash.

Bardhi shtoi se të shtënat me armë u nisën fillimisht nga makina e Xhuvanit ndërsa grupimi i tij u vetëmbrojt.