“Një vend aleat i NATO-s nuk mund të bëhet kërcënim për aleatët e saj. Në dhjetëra miliardë që burojnë nga narkotrafiku është futur edhe dora e zezë e ISIS që nuk e ka asnjë problem që të financohet me kanabisin shqiptar” – tha Sali Berisha në seancën e sotme Parlamentare. Ai  i bëri thirrje NATO-s dhe BE-së të marrin seriozisht këtë kërcënim.

Ish-kryeministri Sali Berisha bëri një sërë deklaratash “bombë” në Kuvend. Ai e konsideroi të rëndë situatën përsa i përket mbjelljes së lëndëve narkotike. Sipas tij siguria kombëtare është në rrezik pasi organizatat terroriste janë aktivizuar në kultivimin e kanabisit në vendin tonë.

 

“Vendi është më i kërcënuar se kurrë. Dhe tani Shqipëria po bëhet një kërcënim dhe rrezik për NATO-n, një kërcënim për Italinë dhe Greqinë. A ka përgjegjësi këtu apo jo? NATO të marrë në monitorim me urgjencë situatën në vend. Rreziku është se shumë shpejt Shqipëria do të jetë një financues i madh i terrorizmit ndërkombëtar”- tha Berisha që nënvizoi se ende ka shqiptarë që shkojnë të luftojnë në Siri.

Ish-kryeministri tha se ka informacione që po ndërtohen aeroporte të tjerë pas atij të Ishmit.

“Ju që flisnit për mushkonjat. Çfarë do të thoni ju tani që po ngrihet një sistem aeroportesh që transporton armë dhe drogë? A u nis kjo me mushkonjat? A vijoi kjo me aeroportin e Saje Qorrit në Ishëm. Po ndërtohen aeroporte të tjera për trafiqe kriminale. Kanabisi po kërcënon sigurinë kombëtare” – tha Berisha. Ish-kryeministri tha se pasi miratoi moratoriumin për skafet, Italia hoqi mbikëqyrjen ajrore të Adriatikut.

“Ju e keni drogën në gen. E mbani mend Enver Hoxhën që na vuri të mblidhnim lulëkuqe. Nxirreshin nxënësit të mblidhnim opium për disa vite me radhë derisa iu vu bllokim nga komuniteti ndërkombëtar” – tha Sali Berisha sot në seancë parlamentare.