Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është mbledhur sot për të shqyrtuar ankesat për rezultatin e 25 prillit.
Sot shqyrtohen paditë e depozituara pranë KQZ nga PD, Lëvizja Socialistë për Integrim, koalicioni ABEOK dhe kandidatët e pavarur Bojken Abazi, Kreshnik Merxhani dhe Iljaz Shehu.
Partia Demokratike kërkon ripërsëritje të zgjedhjeve në gjithë Shqipërinë, përveç 3 qarqeve ku ata fituan. Partia Demokratike ka ankimuar në KAS rezultatin për 9 qarqe konkretisht për Shkodër, Durrësin, Tiranën, Elbasanin, Fierin, Beratin, Gjirokastrën, Korçën dhe Vlorën, duke i cilësuar zgjedhjet e 25 prillit si masakër elektorale nga regjimi Rama-Doshi-Rakipi. Demokratët nuk do të kontestojnë rezultatin për Kukës, Dibrën dhe Lezhën, qarqe ku PD pati epërsi mbi Partinë Socialiste. Edhe LSI pas Gjirokastrës, Beratit dhe Durrësit, ka ankimuar rezultatin në qarqet e Korçës dhe Vlorës.
Kujtojmë se dje KAS vendosi kthimin për plotësim të kërkesave ankimore nr. 32 me objekt “Kundërshtimin e vendimit të KSHZ-së me nr. 345, datë 04.05.2021 “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse për rezultatin e votimit në zonën zgjedhore, qarku Vlorë, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 25 prill 2021” me ankues Tasim Mehmeti, kandidat për deputet, qarku Vlorë” dhe nr. 50 me objekt “Shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në qarkun Tiranë” me ankues Kostaq Papa, kandidat për deputet, qarku Tiranë (ABEOK).
(Lajmi në përditësim…)