Shqipëria mbyll sonte në mbrëmje me sfidën ndaj Francës kualifikueset Euro2020. Kualifikimi është një temë e mbyllur prej kohësh, ndaj ndeshja pritet që t’i shërbejë trajnerit Edi Reja për të testuar “Kuqezinjtë” përballë kampionëve të botës në fuqi, të cilët në ndeshjen e parë na mundën 4-1.

Pavarësisht yjeve që do të ketë përballë, tekniku italian shprehet optimist.

“Nuk mendoj se taktika është më e rëndësishmja në ndeshjen me Francën, janë protagonistët ata që vendosin fatin e saj. Shqipëria ka mënyrën e saj të të luajturit dhe më atë mënyrë kemi mundësitë tona në çdo ndeshje dhe ndaj çdo kundërshtari, edhe ndaj Francës. E kemi të qartë se ku mund të na vërë më shumë në vështirësi Franca, por dimë edhe ku mund ta rrezikojmë ne. E rëndësishme është që të jemi të gatshëm për të shfrytëzuar çdo rast që mund të na krijohet”, deklaroi ai në konferencën për shtyp të shtunën.

Konferenca nisi pasi trajneri priti në stadiumin e ri Kryeministrin Edi Rama, ku mes batutash foli për një defekt të kreut të Qeverisë. “Vetëm një problem ka, është tifoz i Juves”, tha Reja. Më pas, i shoqëruar nga kreu i FSHF-së, Armand Duka, Rama zbriti në fushë ku mori rolin e trajnerit. Nga futbollistët nuk kërkoi fitoren ndaj Francës. “Këtu duhet të jepni maksimumin. Kaq! Rezultati pak rëndësi ka”, u shpreh ai.

Ndeshjes do t’i paraprijë ceremonia 15 minutëshe e përurimit të stadiumit të ri, që mori emrin “Air Albania”. Drejtimi i saj i është lënë Ardit Gjebreas dhe në fushën e blertë do të përformojnë edhe këngëtarët më në zë të muzikës shqiptare. Para tifozëve fillimisht do të dalë Era Istrefi me këngën zyrtare të Kupës së Botës, “Live it up”.

Më pas Flori Mumajesi do të këndojë këngën “Kuqezi je ti”. Kënga e tretë do të jetë “Xhamadani vija vija” dhe do të interpretohet nga Aurela Gaçe, ndërsa Himni Kombëtar i Shqipërisë do të këndohet nga Juliana Pasha.

“La Marseillaise”, Himni i Francës i është besuar Besa Kokëdhimës. Ceremonia mendohet të zgjasë rreth 15 minuta dhe do të fillojë në orën 20:30, ndërsa ndeshja nis në 20.45.

VERITAS.COM.AL/