SPAK ka nisur një hetim pasuror për këngëtaren e njohur, Elvana Gjata, pasi emri i saj u përmend në përgjimet e Sky Eç, të cilët çuan në burg zyrtarë dhe ish-zyrtarë të shtetit.
Sipas komunikimeve në aplikacionin “SKY” mes Matës dhe Breçanit, i ka thënë se “do t’i dërgojë 500 mijë euro përmes llogarisë së Elvanës”.
Në databazën e “OpenCorporates” rezulton se Elvana Gjata ka të regjistruar në QKR kompaninë me emër EMM ku si administrator rezulton Jonisa Bytyçi.
Kjo kompani në objektin e veprimtarisë ka “Administrimi dhe menaxhimi i artisteve, te fonogramit si dhe me gjere, mbajtja e te drejtave pasurore te autorit kundrejt nje shperblimi.
Mbajtjen e drejtes se riprodhimit te veprave artistike, te drejten e shperndarjes se veprave artistike, te drejten e komunikimit ne publik te veprave artistike, si dhe cdo te drejte tjeter te veprave artistike”.
Sipas deklaratave në tatime kompania EMM ka shënuar një bum të vërtetë fitimesh në dy vitet e fundit, 2021 dhe 2022.
Konkretisht në 2021 kjo kompani e Elvana Gjatës 32.4 milionë lekë të reja ndërsa fitim para tatimit 15.5 milionë lekë të reja.
Akoma më i begatë ka qenë viti 2022 për këngëtaren që ka raportuar në Tatime 87.9 milionë lekë të reja ndërsa fitim para tatimit 68 milionë lekë të reja.
Sipas tabelave që i bashkëngjiten këtyre deklarimeve rezulton se Elvana Gjata në vitin 2022 ka pasur të ardhura neto nga shitjet 86.5 milionë lekë si dhe të ardhura nga veprimtaritë e shfrytëzimit 1.3 milionë lekë.
Sa i takon shpenzimeve në të njëjtin vit ajo ka deklaruar shpenzime personeli 1.5 milionë lekë, paga 1.3 milionë lekë si dhe shpenzime të tjera 14 milionë lekë. (BW)