Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit, pasi edhe ndaj tij është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale.

Këtë e ka bërë të ditur para pak çastesh përmes një konference për media.

Ai ka thënë se nuk do të lejojë që para Gjykatës të shkoj si president.

“Nuk do të lejojë që para gjyqit të dal si president prandaj për të mbrojtur integritetin e shtetit unë sot jap dorëheqje”, ka thënë ai.

“Për të mbrojtur integritetin e Kosovës, duke respektuar partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit. Ndihem shume krenar për këtë përgjegjësi që e kam bartur. Në këto rrethana të reja ftoj forcat politike që të kenë maturi të mos thellojmë në krizë kushtuese apo institucionale, vendi nuk ka kohë për të humbur,  ta ruajmë qetësinë”, ka thënë ai

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se i është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale.

Ai ka thënë se janë momente jo të lehta për të dhe familjen e tij.

Thaçi ka thënë se do të bashkëpunojë ngushtë me drejtësinë.

“Sot më shumë se kurrë ju lus dhe ju bëj thirrje që të mos e humbisni shpresën. Ne kemi fituar lirinë e pavarësinë dhe tani po e zhvillojmë shtetin”, ka thënë ai.

Thaçi ka thënë se “shumë lehtë ashtu si të tjerët kam mundur të mos jem sot në këtë botë. Unë jam me fat që jam gjallë dhe e kam përjetuar ëndrrën shekullore të bëhet realitet”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar toleranca, respekti e bashkëjetesa janë ato që e qojnë vendin përpara. Ai ka thënë se asnjë vendim nuk mund të ndryshojë historinë, duke shtuar se Kosova ka qenë viktima dhe Serbia agresori.

“Ju lus për maturi e unitet, të qëndrojmë të bashkuar”, ka thënë ai.

VERITAS.COM.AL