Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e ditës së sotme ku një autobus me targa kosovare ka mbetur i aksidentuar në Kroaci. Për pasojë 10 persona nuk kanë mundur t’i mbijetojnë plagëve të marra nga aksidenti ndërsa 45 të tjerë kanë mbetur të plagosur, ku 8 persona ndodhen në gjendje të rëndë.
Aksidenti u regjistrua pranë qytetit Slavonski Brod, rreth orës 06:20 të mëngjesit ndërsa deri më tani është mësohuar se autobusi i aksidentuar me targa kosovare vinte nga Frankfurti drejt Prishtinës dhe kishte rreth 67 pasagjerë, ku 2 prej tyre ishin shoferë.
Shefi i Policisë Rrugore, Franjo Galic i cili ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes ka deklaruar se ky është një aksident shumë i rëndë automobilistik.
“Një autobus me targa kosovare në linjën e rregullt Frankfurt-Prishtinë u ul aksidentua këtë mëngjes. Disa pasagjerë kanë mbetur të vrarë ndërsa më shumë se 30 të tjerë u transportuan në spital. Ky është një aksident i rëndë automobilistik. Unë mendoj se është një nga aksidentet më të vështira që kam qenë”, tha shefi i Policisë Rrugore.
Në një reagim mbi ngjarjen, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se akoma nuk kanë marrë një njoftim zyrtar mbi detajet e ngjarjes, ndërsa thekson se Ministri i Brendshëm është nisur drejt Kroacisë. Ndërsa, përfaqësues nga agjencia e autobusit Dava Tours, në një lidhje telefonike për Report Tv u shpreh se nuk kanë asnjë informacion mbi detajet e ngjarjes.
Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit, por paraprakisht dyshohet se shoferi ka qenë i përgjumur, duke bërë që autobusi të dilte nga rruga.
VERITAS.COM.AL