Pas arrestimit të të birit, e cili e kërcënoi se do ta vriste me sëpatë, ka reaguar  babai i 35-vjeçarit. Në një deklaratë për mediat, ai tregoi se si nisi debati me të birin, ku shkak sipas tij është gjendja tij e rënduar mendore dhe borxhet. Për këtë arsye, ai e kishte dërguar djalin te një hoxhë, por pas kësaj gjendja e tij, sipas babait, u përkeqësua.

“Debati nisi para 3 ditësh. Ishte në Durrës për t’u vizituar dhe tha se hoxha më bëri keq. Kur u kthye, u kthye me mendje jo siç u nis, por me mendje tjetër. E ka çuar çuni i motrës në Shënavlash dhe u tensionua, nuk fliste mirë si më përpara”.

Ai tregon se gjendja e tij depresive nisi që kur i ka vdekur e ëma, ndërsa apelon që ta lirojnë të birin dhe ta lejojnë të kurohet.

“Pak e ka nga e ëma që i ka vdekur para 16 vjetësh, nuk ka pasur ditë të mira sa erdhi. Ka qenë në Tiranë, në Durrës. Nga Shijaku e kanë çuar në Durrës. Ka nevojë për kurim, jo për ta mbajtur të izoluar e të sforcuar. Sëpatën e pata unë, ai në atë moment e kapi, është çun i ri, gjynah ta mbajnë brenda, unë them ta nxjerrin dhe ta çojnë te psikologia. Ka 5-6 vjet që nuk ka ardhë fare. Është në Itali çuni, ngaqë nuk punonte, ka qenë në një dhomë atje dhe ka pasur ca borxhe.”