“Është koha për t’u shkëputur nga mënyrat e vjetra.” Ky është mesazhi që iu ka përcjellë ambasadorja amerikane, Yuri Kim anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor gjatë një takimi të mbajtur ditën e sotme, duke përsëritur edhe njëherë se reforma në drejtësi duhet të vazhdojë të zbatohet.
Diplomatja ka pohuar sërish mbështetjen e fortë të SHBA për institucionet e drejtësisë ndërsa ka apeluar që anëtarët të përmbushin detyrën e tyre me integritet dhe pavarësi. Gjithashtu ka kërkuar që KLGJ-së të plotësojë tre vendet e mbetura në Gjykatën e Lartë me gjyqtarët më të kualifikuar.
Reagimi i plotë i Ambasadës Amerikane:
Ambasadorja Yuri Kim u takua sot me Këshillin e Lartë Gjyqësor për t’i falënderuar për bashkëpunimin e tyre gjatë tre viteve e gjysmë të fundit dhe për t’i nxitur ata që të ngulmojnë. Ajo pohoi sërish mbështetjen e fortë të SHBA për KLGJ-në dhe institucionet e tjera të drejtësisë dhe u bëri thirrje anëtarëve të KLGJ-së që të përmbushin detyrën e tyre me integritet dhe pavarësi. Ajo i kërkoi KLGJ-së të plotësojë sa më shpejt tre vendet e mbetura në Gjykatën e Lartë me gjyqtarët më të kualifikuar. Ajo theksoi gjithashtu pritshmëritë e SHBA që KLGJ të zgjedhë gjyqtarë me integritet dhe aftësi profesionale për Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe gjykatat më të ulëta. “Është koha për t’u shkëputur nga mënyrat e vjetra. Reforma në drejtësi duhet të vazhdojë të zbatohet në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara dhe zyrtarët duhet të veprojnë me integritet pavarësisht kërcënimeve dhe nxitjeve”, tha ambasadorja Kim në KLGJ.
/abcnews.al