Laert Skiro/
Zgjedhjet në Dibër përfunduan në favor të socialistëve Rilindas, kundërshtarë të Partisë Demokratike. Fitorja e të Majtëve ishte më e thellë se sa këta vetë mund të mendonin: Mbi 4 mijë vota në avantazh. Në zgjedhjet e kaluara për Bashkinë e Dibrës, të majtët kishin fituar veç rreth 400 vota më shumë se Demokratët, që do të thotë se tashmë janë dhjetëfishuar votat në favor.
Dibra është quajtur edhe “bastion i të djathtës” për shkak të persekutimeve të shumta të dibranëve gjatë periudhës së diktaturës komuniste; të majtët e tanishëm konsiderohen vazhdues të eksponentëve të regjimit komunist.
Gjithashtu, zgjedhjet e parakohshme për kryetar Bashkie në Dibër erdhën si rezultat i ndërprerjes së mandatit të kryetarit të majtë sepse ky u përfshi në një skandal të turpshëm, veçanërisht në kontekstin dibran të moralit familjar.
Këto dhe plot argumente të tjerë i bënë Demokratët të mendojnë se “betejën në Dibër e kishin të fituar”. Mirëpo ndodhi krejt e kundërta. Partia Demokratike humbi “përmes entuziazmit” dhe përllogaritjeve të fitores.
Tashmë tensioni për humbjen është kthyer në zyrat e Partisë Demokratike si një makth dhe si një e quajtur “analizë”, por në fakt është më shumë tension.
Mënyra se si po zhvillohet analiza, kjo i ngjan më shumë luftës së brendshme se sa një analize të ftohët.
E para, për arsyen se një analizë e zhvilluar kaq shpejt, nuk mund të jetë analizë. Sot, në këto momente, është mbledhur grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe po merret me analizë. Kjo mud të quhet më shumë një “analizë më këmbë e më dorë”, se sa një kërkim për gjetjen e shkaqeve të humbjes dhe korrigjimet.
Nga ana tjetër, para se të fillojë mbledhja e Grupit, zërat më kritik kundër kryetarit të PD janë shprehur, kanë paraqitur opinionet e tyre, publikisht.
Deputeti Eduard Selami, i vetëquajtur “amerikani në PD” ka deklaruar hidhët se “duhet një analizë e qartë”. Këto fjalë, zakonisht, janë thënë në kohën kur kërkohet të sakrifikohet dikush. Këtë herë kërkohet “koka e kryetarit të PD”, Basha, siç kanë shkruar mediat.
Edhe deputet Patozi, ish kryetar i Grupit Parlamentar në PD është shprehur se “PD duhet t’i gjejë shkaqet e humbjes brenda vetes”. Ky është një zë kritik dhe më realisti mes kritikëve në PD. Sigurisht, në analizën e tij ai shikon qartë edhe krimin e qeverisë me vjedhjen dhe blerjen e votave në Dibër, por sensi kritik ndaj PD-së së tij është i qartë.
Edhe deputetja Bregu, ish ministre në qeverinë e PD, ka deklaruar se “faji është i kryetarit të PD, Basha”. Megjithëse Bregu dhe Basha, të ardhur njëkohësisht në PD, pak nga pak janë kthyer në kundërshtarë të heshtur.
E gjithë struktura e “analizës” duket se është dalja sheshit e pakënaqësive të brendshme, e kundërshtive të heshtura dhe e luftës për të bërë “rokada” në qeverisjen e Partisë.
Ditët në vijim nuk mendohet se do ta shuajnë këtë klimë jo produktive brenda PD