Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, sot në një konferencë për mediat tha se “LSI do të njoftojë në kohën e duhur” për pjesëmarrjen në zgjedhje. Sot është data e para-fundit për regjistrimin në KQZ e partive pjesëmarrëse në zgjedhje.

Zoti Rama, i pyetur mbi pjesëmarrjen në zgjedhje, tha se “akoma nuk është arritur pika e parë: Dialogu…” dhe la për të nënkuptuar se pa dialogun e maxhorancës me opozitën nuk mund të garantohen zgjedhje të besueshme.

Pas pyetjeve të gazetarëve, lidhur me deklaratën e kreut të diplomacisë gjermane, Gabribel, kundër protestës së opozitës, Luan Rama tha se, “deklarata të tilla nuk i shërbejnë dialogut politik në vend”. Ai shkoi edhe më tej duke shtuar se zgjidhja për krizën duhet të vijë nga politikanë shqiptarë dhe jo nga të huaj.

“Deklaratat që nuk janë të balancuara nuk ndihmojnë në zgjidhjen e situatës. Problemi është krijuar këtu, si rezultat i të papërgjegjshmërisë politike të shqiptarëve, ndaj duhet të marrë zgjidhje këtu. Duhet të dominojë arsyeja, sepse interesat e vendit janë prioritare”, deklaroi numri dy i LSI-së.

/Veritas.com.al/