Juristja Brizida Gjikondi, referuar informacioneve të saj, u shpreh në studion e ABC News se tre drejtuesit kryesorë të SPAK ndodhen për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo tha se prokurorët e SPAK janë thirrur atje pasi kanë në dorë shumë çështje “bombastike”, përfshirë edhe atë të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu sa i takon tragjedisë së Gërdecit me 26 viktima.
“Unë di një informacion të fundit. Tre krerët kryesorë të SPAK, Dumani, Kraja, dhe Braho janë thirrur në SHBA. Janë atje prej ditësh. Nuk dihet se ka qenë vizitë e planifikuar. Nuk dihet gjithë ky nxitim për të shkuar atje. Këta persona, janë një treshe, që kanë jo vetëm çështjen e Mediut, por edhe çështje të tjera bombastike”, tha ajo.
Sipas juristes, prokurorët e lartpërmendur mendohet se janë thirrur në Amerikë për t’i nxitur që t’i japin një shkundje reale situatës dhe fenomenit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri.
“Mendohet se kjo treshe është thirrur në Amerikë për t’i dhënë një shkundje reale dhe shpresëdhënëse situatës në Shqipëri”, shtoi ajo/ abcnews.al