Frrok Çupi/

Ilir Meta, president i Republikës, u kthye te vendi i krimit:

Nga ora 3 deri në 4.30 shpalli padinë e tij ndaj kryetarit të Komisionit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Gjithë kësaj kohe ‘waste’ nuk po ngopej e nuk po ngopej me emrin ‘Dvorani’. Këtu duket sikur rri krimi. Kur Ilir Meta, zëvendëskryeministër, u pa nga gjithë bota në një video duke marrë 700 mijë euro, i vetmi anëtar i trupës së Gjykatës së Lartë që nuk votoi në favor të aktit të tmerrshëm, ishte Adrian Dvorani… ‘Ah, more Dvoran, veç mos më ardhsh në shteg!’, u dëgjua që mërmëriti njeriu i fuqishëm, Meta. Në leksionet e Juridikut, qe një rast kur profesori i Kriminalistikës na tha: ‘Shoferi ‘Iks’ kishte vrarë pasagjerin dhe e kishte hedhur në Erzen. Kaluan vite, krimi mbeti në dosje. Një mbrëmje, pasi ishin fshirë të gjitha gjurmët, shoferi udhëtonte nga Kërraba drejt Tiranës. Ndalet te cepi i urës, del e vështron poshtë në lum, si të ishte ngjallur viktima. ‘Hë mor ti, këtu ta këputa kokën!’, mërmëriti dhe iku. Por aty dikush dëgjoi…”, tha profesori i kriminalistikës duke ilustruar idenë e kthimit te vendi i krimit…

Ilir Meta, tërë jetën do të kthehet te ‘ura’ e Dvoranit, siç bëri sot.

Por në fakt  viktimë e presidentit Meta nuk është thjesht një gjykatës. Dy viktima po ravijëzohen në synimet e presidentit të republikës: Drejtësia dhe Amerika.

Drejtësia:

Kur një zyrtar i lartë i akuzuar për korrupsion gjigand, në sy të të gjithë dynjasë, me prova para Gjykatës, dhe si person i njohur botërisht si kampion i korrupsionit- siç është Ilir Meta- fiton mbi gjykatësin kundërshtar, këtu Drejtësia zë vendin e pasagjerit të vrarë te Ura e Peshkatarit në Mullet. Reforma në Drejtësi, e iniciuar dhe financuar e drejtuar nga Amerika dhe Evropa, hasi që në fillim kundërshtime të tmerrshme të fajtorëve të mëdhenj. Këta janë ujqër të krimit dhe e dinë erën e donatorit që i ndjek. Në këtë rast donatori është Amerika. Ilir Meta- si kryetar i Kuvendit- bëri të pamundurën për të penguar Reformën Amerikane. Gjeti një maxhorancë syleshe ose naive, që e vuri në postin e presidentit  dhe tani ai di vetë se çfarë i bën Drejtësisë. Njerëzit e zakonshëm kanë një shprehje të përditshme: ‘Mjerë ky popull!’ që nuk e lënë të shikojë as dritë as Drejtësi.

Tani presidenti i Republikës është vënë në sulm kundër Drejtësisë: Do ta vonojë, do ta çnderojë, do ta zhveshë nga besimi, do ta bëjë leckë dhe më në fund nuk do të lejojë që të shkojë te Njeriu. Të paktën sa ka në dorë si president, por edhe si president që nuk pyet për ligje e Kushtetutë, ai këtë do ta bëjë. Lamtumirë Drejtësi!- shihemi te Ura e Peshkatarit.

Amerika:

Kur them Amerika, kam thënë edhe Evropë dhe aleatët perëndimorë të kombit tonë. Por Amerika udhëheq Reformën në Drejtësi në Shqipëri. Amerika dhe Evropa kanë dhënë fondet, kanë ndërtuar strategjitë, kanë ushtruar gjithë këtë praktikë…, me qëllim që të kryhet Reforma në Drejtësi. Atëherë do të arrihet çlirimi i vërtetë i vendit dhe i Kombit, në momentin kur këtyre njerëzve të rraskapitur t’u zbriten nga kurrizi krokodilët 30 vjeçarë. Amerika ka bërë edhe  premtime ndaj popullit shqiptar, se brenda vitit do të jenë në funksion Gjykata Kushtetuese, SPAK dhe Gjykata e Lartë… Por kush tha?… Presidenti i Republikës është betuar për të mos i hapur rrugë as Drejtësisë, as Amerikës. Pak kohë më parë nxori në rrugë militantët e armatosur me bomba dhe të inatosur me Amerikën, ndërsa vetë deklaroi se ‘nuk pyes për ndërkombëtarët’ duke nënkuptuar Amerikën. Ndërsa sot presidenti bëri thirrje ekstreme: ‘njerëzit të marrin armët’. Kundër kujt? Në radhë të parë kundër Amerikës, që është iniciatore e Drejtësisë në Shqipëri…

Edhe nëse nuk do ta vërë përfund Amerikën, presidenti Meta shpreson të fitojë kohë deri në një moment kur Amerika ‘do të lodhet’, ose ‘do të humbë presidentin ose fuqinë e saj’. Kështu mendojnë të gjithë kundërshtarët e nxehtë të Amerikës, që nga terroristët e deri te zyrtarët ‘engjëllorë’ të korruptuar. Në sytë e tyre, Amerika është viktimë.

VERITAS.COM.AL/