Prokuroria e Përgjithshme ka prezantuar bilancin e çështjeve që janë në hetim, dërguar për gjykim apo që nuk janë pranuar për hetim në lidhje me vepra penale që kanë lidhje me zgjedhjet.

“Aktualisht po ndiqen penalisht 11 persona, janë arrestuar në flagrancë 5 persona dhe është kërkuar masa e sigurisë “arrest në burg” për 4 persona prej të cilave është pranuar kërkesa për 3 persona”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë.

Mësohet se nga raportimet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm mbi veprat penale në fushën e zgjedhjeve për periudhën parazgjedhore e deri më datë 08.06.2021 rezulton se prokuroritë kanë regjistruar procedimin penal për 53 njoftime për vepra penale në lidhje me zgjedhjet.

Nga çështjet e regjistruara kanë përfunduar 7 prej tyre me 5 persona në hetim, prej të cilave 3 procedime me 3 persona nën hetim janë transferuar në SPAK, 1 është pushuar, 1 është pezulluar dhe 2 procedime me 2 të pandehur janë dërguar për gjykim.

VERITAS.COM.AL