Parlamenti Europian pritet që të miratojë, në Komitetin e Punëve të Jashtme dhe më pas në seancën plenare, edhe një rezolutë tjetër ku i bëhet thirrje vendeve anëtare, Këshillit Europian, për të hapur sa më parë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si një domosdoshmëri për të treguar besueshmëri dhe seriozitet për procesin e integrimit evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në raportin e përgatitur nga Raporterja për Shqipërinë në PE, eurodeputetja Isabel Santos, ritheksohet mbështetja e qartë për transformimin demokratik të Shqipërisë, të mbështetur nga orientimi strategjik dhe përkushtimi i palëkundur ndaj integrimit evropian.
Santos rikujton në raport nevojën për të mbështetur shpejt ritmin dhe besueshmërinë e integrimit evropian, hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ashtu siç prej vitesh tashmë është rekomanduar nga Komisioni Europian, duke qenë se të dyja vendet kanë përmbushur kushtet dhe të dyja vendet kanë dhënë rezultate të qëndrueshme në të gjitha fushat themelore.
Në projekt rezolutën e Parlamentit Europian ritheksohet gjithashtu se ritmi i anëtarësimit në BE përcaktohet nga progresi në kohën e duhur, funksionimi i të gjitha institucioneve dhe bazohet në sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë dhe të drejtat themelore. Ndaj për këtë arsye i kërkohet Shqipërisë të mbështesë dhe të intensifikojë përpjekjet për të përforcuar funksionimin e gjyqësorit, forcimin e shtetit ligjor, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke garantuar edhe lirinë e medias.
Parlamenti Europian ka përshëndetur edhe një herë punën e organeve të reja të drejtësisë për rezultatet e fundit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Nevojiten përpjekje shtesë për të rritur më tej sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale që rrjedhin nga veprat penale të lidhura me korrupsionin dhe për të zhvilluar një gjurmë provash në rastet e nivelit të lartë. Shprehim keqardhjen që dënimet në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë mbeten ende të kufizuara, duke nxitur një kulturë të mosndëshkimit” thuhet në raport.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin që qershorin e ardhshme të mund të kenë një datë të përcaktuar për negociatat. Prej kohësh tashmë ngërçi është në Këshillin Evropian për shkak se bëhet i pamundur një vend prej vetos bullgare për Maqedoninë e Veriut. Shkëputja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut është një ide e fundit e qeverisë shqiptare nëse edhe në qershor Bullgaria do të vazhdojë të bllokojë procesin.