Dy ditë pasi presidenti amerikan Joe Biden autorizoi Ukrainën të sulmojë Rusinë me raketa me rreze të gjatë veprimi, Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës goditën për herë të parë territorin rus me raketa balistike Atacms, të prodhuara nga SHBA. Kjo është ka raportuar “RBC Ukraine”, duke cituar një burim nga Forcat e Armatosura të Ukrainës.
“Objektivi u godit me sukses. Sulmi u krye kundër një objektivi në rajonin Bryansk, i cili u godit me sukses”, vuri në dukje burimi.
Sipas burimit, sulmi kishte në shënjestër një objekt ushtarak pranë qytetit të Karaçevit në rajonin Bryansk të Rusisë. “Ai u godit me sukses,” tha ai.
Karaçev ndodhet rreth 130 kilometra nga kufiri ukrainas.
Vendimi që lejon Kievin të përdorë Sistemin Raketor Taktik të Ushtrisë, ose ATACM, për sulme më tej brenda Rusisë, vjen pasi Presidenti Vladimir Putin pozicionoi trupat e Koresë së Veriut përgjatë kufirit verior të Ukrainës në përpjekje për të rimarrë qindra milje të territorit të kapur nga forcat ukrainase.
Ndwrkohw mediat raportojnw se presidenti Vladimir Putin ka miratuar dekretin që lejon goditjen e Ukrainës me armë bërthamore.
Dekreti u nënshkrua pasi SHBA njoftoi se do të lejonte Ukrainën të përdorte raketa me rreze të gjatë – Ne kemi të drejtë të përdorim armë bërthamore nëse sulmohemi me armë konvencionale, tha Peskov.
Një dekret për përdorimin më të gjerë të armëve bërthamore është nënshkruar sot nga presidenti rus Vladimir Putin, duke rinovuar një dekret të nënshkruar prej tij në qershor 2020.
Sipas agjencisë Tass, parimi bazë i dekretit, është nënshkruar një ditë pasi SHBA lejoi përdorimin e raketave balistike amerikane nga Ukraina për të goditur thellë brenda territorit rus.
Dekreti parashikon se armët bërthamore janë një masë ekstreme për të mbrojtur integritetin të Rusisë. Megjithatë, sa i përket parametrave për përdorimin e armëve bërthamore nga Rusia, dekreti zgjeron kategorinë e shteteve dhe aleancave ushtarake, të cilave Moska mund t’u përgjigjet me armë bërthamore, shkruan A2.
Në mënyrë specifike thuhet se çdo veprim agresiv nga një shtet jo-bërthamor me pjesëmarrjen ose mbështetjen e një vendi të armatosur bërthamor do të konsiderohet si një sulm i përbashkët ndaj Federatës Ruse.
Për më tepër me dekretin e ri një “përgjigje” bërthamore nga Rusia është e mundur në rastin e një “kërcënimi kritik” për integritetin e saj edhe me përdorimin e armëve konvencionale, në rastin e një sulmi ndaj Bjellorusisë dhe në rastin e një sulmi masiv me avionë luftarakë, raketa lundrimi, dronë ose avionë të tjerë dhe shkelje të kufirit rus .
“Politika shtetërore në fushën e parandalimit bërthamor ka një karakter mbrojtës, synon ruajtjen e potencialit të forcave bërthamore në një nivel të mjaftueshëm për të siguruar parandalimin bërthamor dhe garanton mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit, parandalimin e një armiku të mundshëm nga sulmi ndaj Federatës Ruse dhe (ose) aleatëve të saj, dhe në rast të një konflikti ushtarak – parandalimin e përshkallëzimit të veprimeve ushtarake dhe përfundimin e tyre me kushte të pranueshme për Federatën Ruse dhe (ose) aleatët e saj”, thuhet në dekretin e Putin.
Ndërkohë, zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov deklaroi se Rusia rezervon të drejtën për të përdorur armë bërthamore në rast të një kërcënimi ndaj sovranitetit të saj dhe sovranitetit të Bjellorusisë.
“Do të jeni në gjendje të njiheni me paragrafët përkatës të parimeve të politikës shtetërore të Federatës Ruse në fushën e parandalimit bërthamor. Por në përgjithësi, thuhet gjithashtu se Federata Ruse rezervon të drejtën për të përdorur armë bërthamore në rast të një sulmi me përdorimin e armëve konvencionale kundër saj dhe/ose Republikës së Bjellorusisë, duke krijuar një kërcënim kritik për sovranitetin dhe/ose integritetin e tyre territorial. Po, kjo është ajo që thotë dokumenti”, u tha Peskov – gazetarëve, duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse Rusia do ta konsideronte përdorimin e raketave jo-bërthamore amerikane nga forcat e armatosura ukrainase në territorin e saj si një element të një sulmi nga një shtet jo bërthamor kundër Rusisë me mbështetjen e një shteti bërthamor.
Edhe ish-Presidenti Dmitri Medvedev ka deklaruar se Rusia ka të dreëjtë të reagojë me armë të shkatërrimit në masë kundër Kievit dhe instalimeve kryesore të NATO-s, kudo që janë dhe kjo është tashmë Lufta e Tretë Botërore.
Kështu tha në Telegram nënkryetari i Këshillit të Sigurimit rus Dmitri Medvedev. “Ndoshta Biden i vjetër vendosi të vdiste me hijeshi, duke marrë me vete një pjesë të konsiderueshme të njerëzimit”, tha Medvedev në një postim në Telegram.