KQZ hodhi shortin për të përcaktuar relatorin për ankimimin e PD-së për mosregjistrimin në zgjedhje. Relator u caktua Koli Bele. Ishte firma e munguar e Lulzim Bashës që la PD për herë të dytë jashtë zgjedhjeve lokale. Pas bojkotit të 2019-ës, dokumentacioni i mangët, bëri që Ilirjan Celibashi të mos e regjistrojë PD-në për 14 Majin.

Komisioneri i shpjegoi PD-së se pse nuk qëndron argumenti i tyre se Basha nuk mund të regjistrohet sepse është dorëhequr. Duke arsyetuar vendimin e tij, Ilirjan Celibashi i dha PD-së edhe një zgjidhje të mundshme, të cilën PD mund ta përdorë nëse vërtet dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje.

PD e quajti vendimin politik, dhe akuzat ndaj Celibashit i pasoi me dorëzimin e ankimimit. “PD s’ka kohë për të humbur, ishte vendimmarrje politike nga komisioneri. Ne kërkojmë shqyrtimin nga KAS, të ankesës tonë, i cili të marrë në konsideratë kërkesat e PD dhe të shfuqizojë këtë vendim, tërësisht të pabazuar në ligj”, tha Indrit Sefa.