Porti i Durrësit ka shërbyer si një ndër pikat kufitare hyrëse më të rëndësishme në rrugë detare, duke regjistruar në 10 ditët e fundit të vitit që sapo lamë pas, plot 30.000 qytetarë që kanë hyrë në vendin tonë për festa.
Referuar burimeve zyrtare, tragetet e linjave nga Durrësi drejt Barit e Ankonës (Itali) kanë operuar me rrugë dyfishe përgjatë periudhës 22.12.2022-24.12.2022, kur u shënua dhe numri më i lartë i udhëtarëve në hyrje. Ndërkohë, ditët e para të vitit 2023, ka nisur të ndjehet fluksi i përqendruar tashmë në dalje, pra nga vendi ynë në drejtim të porteve italiane. Nga data 4 janar dhe deri më datë 9, sipas të dhënave zyrtare, konfirmohet se tragetet do të operojnë më lundrime dyfishe brenda ditës për përballimin e fluksit të udhëtarëve
Nga ana tjetër, për datën 3 janar në Kapshticë kanë hyrë 2591 persona ndërsa kanë dalë 5192. Në Qafë Thanë kanë hyrë 2634 persona dhe kanë dalë 2948. Numri i daljeve është më i lartë se ai i hyrjeve duke qenë se pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë qëndrojnë në vend deri në përfundimin e festave dhe më pas krijohet fluks gjatë kthimit të tyre në vendet ku punojnë. Ditën e djeshme po ashtu u raportua një numër shumë më i lartë i daljeve nga vendi krahasuar me atë të hyrjeve.