Liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen ditën e sotme në Bruksel. Organizatori i darkës joformale është Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, shkruan Blic.
Të pranishëm do të jenë kryeministri Edi Rama, presidenti malazez Milo Gjukanoviq, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës Zoran Tegelti, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gervala.
Ende nuk dihet se cilat mund të jenë temat konkrete të bisedimeve, por Ballkani Perëndimor me perspektivën për tu integruar në BE pritet të jenë në rend dite. Edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar se darka do të mbahet, duke theksuar se është një darkë tradicionale, e cila organizohet një herë në vit nga shefi i diplomacisë së BE-së.
Tanjug thekson se burimet e tyre diplomatike thonë se fokusi do të jetë te lufta në Ukrainë, pra te pasojat e agresionit rus në sigurinë rajonale dhe ekonominë evropiane. Darka e përbashkët është planifikuar të nisë në orën 20:30. Tradita e organizimit të darkave me liderë nga Ballkani Perëndimor është iniciuar nga ish-shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, si një mënyrë për të inkurajuar dhe përmirësuar bashkëpunimin brenda rajonit me BE-në.
Liderët nga Ballkani Perëndimor do të flasin para mediave Bruksel në fund të darkës.