Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria do të prezantojnë një rezolutë të përbashkët në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

 Kjo e fundit, do të dënojë referendumet e mbajtura nga Rusia në rajonet e pushtuara të Ukrainës.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi amerikan “CBS News”.

Projekt-rezoluta, e parë nga “CBS News”, kërkon që forcat ruse të largohen nga Ukraina.

Ndër të tjera, ajo rikonfirmon “angazhimin për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”.

Më tej thuhet se referendumet “nuk kanë vlefshmëri dhe nuk mund të përbëjnë bazën për ndonjë ndryshim të statusit të këtyre rajoneve të Ukrainës”.

Rezoluta SHBA-Shqipëri “u bën thirrje të gjitha shteteve që të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe agjencitë e specializuara të mos njohin asnjë përvetësim të supozuar nga Federata Ruse të ndonjë ose të të gjitha rajoneve të Ukrainës të Luhansk-ut, Donetsk-ut, Kherson-it ose Zaporizhzhya-s dhe të përmbahen nga çdo veprim ose marrëveshje që mund të interpretohet si njohje e një statusi të tillë të ndryshuar”.

Ambasadori shqiptar Ferit Hoxha, i cili bashkë-garantoi rezolutën, iu bëri jehonë shqetësimeve për referendumet e Rusisë.

“Ne shohim protesta kundër thirrjes për të shkuar në Ukrainë, sepse besojmë se qytetarët rusë nuk duan të shkojnë atje, pasi nuk duan të vdesin në këtë luftë”, tha Hoxha.

E dërguara e SHBA-ve Linda Thomas-Greenfield deklaroi se referendumi i rremë i Rusisë, nëse pranohet, do të hapë një “kuti të pandorës” që nuk mund të mbyllet.

Shtetet e Bashkuara po punojnë me shpejtësi për rezolutën, vërejti një zyrtar amerikan për CBS, duke mos dhënë detaje se kur do të prezantohet zyrtarisht.

Kujtojmë që Rusia ka garancinë e vetos së saj në Këshill ndaj rezolutës por dokumenti mund të shkojë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Situata

Zyrtarët e instaluar nga Rusia në katër rajone të okupuara të Ukrainës raportuan një shumicë të madhe votash në favor të bashkimit me Rusinë.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Votimet e organizuara me nxitim u zhvilluan gjatë pesë ditëve në rajonet lindore të Donetsk-ut dhe Luhansk-ut, dhe në Zaporizhzhia dhe Kherson në jug.

Katër rajonet së bashku përbëjnë rreth 15 për qind të territorit ukrainas.

Numri i votave nga rezultatet e plota të martën në katër provincat varionte nga 87% në 99.2% në favor të bashkimit me Rusinë.

Kjo, sipas zyrtarëve të emëruar nga Rusia.

Kreu i dhomës së lartë të parlamentit rus tha se dhoma mund të shqyrtojë aneksimin më 4 tetor.

“Rezultatet janë të qarta. Mirë se vini në shtëpi, në Rusi!”, tha në Telegram ish-presidenti Dmitry Medvedev /AP/