Propozimi i Rusisë dhe Kinës për të zgjatur 90 ditë përjashtimet nga ndalimi i udhëtimit për 13 zyrtarë talebanë u refuzua nga Britania, Franca, Shqipëria dhe Irlanda në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit.

Kështu shkruan në raportimin më të fundit të agjencisë së lajmeve “Al Jazeera”.

Rusia dhe Kina duan të lejojnë të 13-të zyrtarët talebanë të vazhdojnë udhëtimet, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore janë të vendosura të shkurtojnë numrin për shkak të politikave të talebanëve.

Dhjetëra anëtarë talebanë kanë qenë në listën e zezë të sanksioneve të OKB-së për vite me radhë, duke iu nënshtruar ndalimit të udhëtimit, ngrirjes së aseteve dhe embargos së armëve.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së i ndarë nuk ka arritur një marrëveshje nëse do të zgjasë përjashtimet e udhëtimit për 13 zyrtarë talebanë që tani qeverisin Afganistanin.

Rusia dhe Kina kërkuan më shumë kohë për të shqyrtuar propozimin e fundit të SHBA-ve, thanë diplomatët e Këshillit të Sigurimit, duke folur në kushte anonimiteti, sepse diskutimet kanë qenë private.

Pra, ndalimi i udhëtimit do të rikthehet për të gjithë zyrtarët talebanë deri të hënën pasdite, kur Rusia dhe Kina t’i përgjigjen propozimit të SHBA-ve.

Që nga pushtimi i Afganistanit nga talebanët, 15 gushtin e vitit të kaluar, ndërsa forcat e SHBA-ve dhe NATO-s ishin në fazat e fundit të tërheqjes së tyre kaotike nga vendi pas 20 vjetësh, deri në 700 njerëz janë vrarë dhe 1 mijë e 400 njerëz janë plagosur.