(FOTO: Ura e Ibrit, Mitrovicë, Dhjetor 2016)

 

Ka dy ditë që po flitet më dendur për  ndërtimin e një muri ndarës në Mitrovicë. Kjo po bëhet, me sa duket, nën kujdesin e disa ndërkombëtarëve si një masë për të siguruar paqen mes serbëve dhe shqiptarëve.

Por asnjëra palë nuk e do murin.

Ndërtimin e murit në anën veriore të qytetit të Mitrovicës, kryetari Agim Bahtiri, por edhe qytetarët shqiptarë e serbë e shohin si të pakuptimtë dhe të panevojshëm.

Ata thonë se ka kaluar koha e kufijve dhe barrierave për qytetarët.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri gjatë një vizite që i bëri sot punimeve mbi urën kryesore të Ibrit, e ka quajtur ilegal ndërtimin e murit, ndërsa tha se ky mur nuk është paraparë me marrëveshjen e Brukselit. Ai ka mohuar se muri i ndërtuar do të ndajë qytetin, duke përsëritur se Mitrovica do të bashkohet. Bahtiri premtoi se muri do të largohet, pa saktësuar se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

Ndërkaq, kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, i ka thënë agjencisë “Kosovapress” përmes telefonit se është duke shkuar në Prishtinë për të biseduar pikërisht për këtë temë, dhe pasi të kthehet mund të jap ndonjë deklaratë.

Në anën tjetër, qytetarët e Mitrovicës janë shprehur të pakënaqur me ndërtimin e murit në pjesën veriore të qytetit.

Dushko Kociq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, u shpreh se nuk e ka të qartë akoma domethënien e këtij muri, pasi nuk e ka parë projektin. Sipas tij, shqiptarët e serbët duhet të jetojnë së bashku pavarësisht të kaluarës. Xhylazim Peci, banor i veriut të Mitrovicës, ka bërë të ditur se muri i ndërtuar është pengesë e madhe, në radhë të parë për serbët dhe për të gjithë qytetarët.

/Veritas.com.al/