Frrok Çupi/

Heshtja që ka pushtuar botën 24 orë pas helmimit të mbi 70 civilëve në Siri, është e frikshme; në sensin e  luftës, natyrisht. Pasi presidenti Trump e quajti Assadin “një kafshë”, pushuan fjalët, pushuan akuzat, presidenti Trump u shtrëngua në vetëpërmbajtje.  Çfarë ka pas kësaj?

Ka shumë arsye për të menduar se sulmi ushtarak do të jetë i pashmangshëm. Shija e parë e ‘barutit’: Presidenti Trump nuk bëri asnjë tërheqje në atë që cilësoi presidentin sirian Assad, “një kafshë”. Provat kanë dëshmuar se zoti Trump, për hir të një rruge drejt paqes, edhe i ka tërhequr cilësimet e mprehta për shkaktarët e rreziqeve. ‘Njeriu raketë’ Kim i Koresë, për shembull, është një bashkëbisedues i një kohe të afërt- ndoshta në Maj. ‘Pritja’ tregon se Shtetet e Bashkuara po merr kohën e duhur për të dalluar mirë cili ishte fajtori i sulmit kimik mbi Douma të Sirisë. Por ndërkohë, presidenti Trump ka premtuar ‘çmim të lartë’ për njeriun egoist që shkaktoi tragjedinë mbi njerëz.

Arsye e dytë:

Para një viti presidenti Trump ka premtuar se ‘nëse ka tjetër sulm kimik në Siri’, atëherë nuk do të mjaftohet me sulmin e  para një viti. Si sot një vit më parë, Shtetet e Bashkuara shpenzoi rreth 100 milionë dollarë për raketat kruiz Tomahawk që u lëshuan mbi bazën ajrore të Sirisë e implikuar në sulmin kimik me disa të vdekur në Khan Saykhun. Atë ditë, si sot një vit më parë- sipas raportimeve- Trump tha se e ka urdhëruar atë përgjigje me raketa ‘për të frenuar çdo armë kimike vdekjeprurëse”. Po tani që ndodhi përsëri? Sipas kësaj logjike, pritet sulmi përsëri.

Arsyeja e tretë:

Në një bisedë telefonike me presidentin e Francës, Macron, Trump tha se teorikisht sulmi mbi Assad është i afërt. Por një motiv tjetër më i rëndësishëm: Trump ka nxjerrë nga goja fjalë për dëshpërimin e tij sikur të ndodhte një çast që të dukej si Obama. Ai ka shkruar: “Nëse Obama ka kapërcyer ‘Vijën e  Kuqe’ të vendosur në ‘Shkretëtirat e Rërës’, katastrofa e Sirisë duhej të ishte mbyllur kohë më parë”. Pas sulmit të para dy ditëve me armë bërthamore në Siri, presidenti Trump ka vendosur një vijë tjetër të kuqe për veten e tij në përdorimin e armëve bërthamore. Burri që ndodhet sot në Shtëpinë e Bardhë është i atij karakteri që e ka të pamundur të bëjë ‘sikur nuk kanë ndodhur’ gabimet e paraardhësit. Kjo është edhe një arsye tjetër që na bën të mendojmë se përgjigja e Trump, në këtë rast, nuk do të mjaftohet vetëm përmes Twitterit.

Veritas.com.al/