Ministria e Brendshme gjermane ka vendosur shkarkimin me efekt të menjëhershëm të kreut të Zyrës Federale për Sigurinë e Informacionit, Arne Schönbohm, pasi rezultoi i lidhur me qarqet ruse.
Der Spiegel njofton se autoritetet gjermane gjithashtu kanë nisur procedimin disiplinor ndaj presidentit BSI-së – autoriteti më i lartë i sigurisë kibernetike i Gjermanisë, që është edhe pjesë e portofolit të ministrisë – për shkak të akuzave që rëndojnë ndaj tij për lidhje me shërbimet ruse.
Zëdhënësi i ministres së Brendshme, Nancy Faeser, konfirmoi se Schönbohm do të largohet nga detyra pasi “reputacioni i tij dhe besimi i nevojshëm për ruajtjen e neutralitetit gjatë udhëheqjes si president i agjencisë më të rëndësishme gjermane të sigurisë kibernetike, është dëmtuar”.
Schönbom u zgjodh në krye të agjencive që mbikëqyrin sigurinë kibernetike dhe atë të komunikimit të qeverisë, në vitin 2016. Ai u vendos nën vëzhgim pasi lidhjet e tij me një kompani ruse, ku punonte më herët, ranë së tepërmi në sy gjatë një dalje publike në një televizion gjerman.