Kryediplomatja shqiptare, Olta Xhaçka, gjatë fjalës së saj në një konferencë përpara debatit të hapur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka përgëzuar disa nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Shqipërinë për strehimin e rreth 7 milionë ukrainasve të zhvendosur me forcë nga lufta.

“Shqipëria i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, të cilat sipas mendimit tonë janë dhe duhen parë vetëm si një mjet për t’i bërë të ditur Kremlinit se veprimet kanë pasoja”, theksoi kryediplomatja shqiptare.

Më tej, ajo tha se ndalimi i luftës nga Federata Ruse dhe përfshirja në negociata është mënyra e vetme për të trajtuar çështjet dhe ankesat.

“Ne presim që ndikimi i përgjithshëm gjeopolitik i situatës në Evropë, përfshirë Ballkanin Perëndimor, të jetë i pranishëm në diskutimet tona. Si një vend kandidat për në Bashkimin Evropian, Shqipëria pret një qasje realiste, objektive, të afatizuar dhe të besueshme të zgjerimit të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor”.

Ndër të tjera, Xhaçka shtoi se Shqipëria pret me padurim një proces të përshpejtuar të dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, me lehtësimin e BE-së, i cili duhet të çojë sa më shpejt në njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.