Frrok Çupi
Kësaj here zoti u rrokullis nga qielli në formën e stuhisë dhe iu sul Turqisë e Greqisë. Ujërat kanë tmerruar të gjallë e të vdekur. Të vdekurit po shkulen nga toka ndërsa të gjallët po zhyten. Shtëpitë po merren si lodra të shkatërruara nëpër lumenj. Urat po thyhen në mes dhe po krijojnë situatë arkeologjike për nesër, kur të vijnë e të thonë se ‘këtu ishte një urë’. Makinat po i kthejnë këmbët nga dielli përmes stuhisë. E vetmja kureshtje është se si i merr ‘Zoti’ edhe makinat luksoze.
Është interesante se si Perëndia nuk ka bërë kurrë dallim mes Luksit dhe Varfërisë, ose mes këtij e atij krijese… Ndërsa Njeriu ka vënë kufij ndarës dhe piketa urrejtjeje mes njëri tjetrit. Edhe të zotët e makinave luksoze nuk e duan këmbësorin, sikurse këmbësori e urren njeriun e makinës Luks.
Këto dallime i ka krijuar vetë njeriu, i ka krijuar si lodra që një ditë Perëndia të zbresë nga qielli dhe të luajë me to si një prind i mërzitur me krijesat.
Në rastin tonë Zoti kishte shansin që të diferenconte atë që ‘ka më afër’ dhe atë që e ka lënë përtej pragut të derës. Greqinë, për shembull, thonë grekët se ‘Zoti e bëri për vete’. Por edhe fronin e tij, Zeusi e ka në një mal të Greqisë, Olimp.
Kur ndërtuan aeroportin e madh dhe shoqërinë e fluturimeve, ‘Olympic’, grekët kishin parasysh pikërisht këtë gjë, që të arratiseshin nga toka në çdo moment që do të rrezikoheshin nga stuhitë ose nga buburrecat. Të arratiseshin dhe t’i afroheshin Zotit, por pa turqit pranë. Ja për shembull, në këtë rast kur stuhitë morën urat, shtëpitë, arat e makinat…, grekët mund të ishin atje lart me Zotin, ndërsa turqit do të strehoheshin në vilat e vjetra të sulltanëve.
Madje grekët, herët, kishin ndërtuar edhe fronin me ‘shumë zota’ me dyshimin se nëse Zeusi do të tradhtonte, atëherë do të vinin në provë besnikërinë e 11 zotave të tjerë.
As kësaj here nuk ndodhi kështu, Zoti e ndau të keqen në mes, si për turqit edhe për grekët. Tani është shumë vonë që grekët të zemërohen me Olimpin, por po përtypin urrejtje të fshehtë. Jo aq shumë urrejtje pse stuhitë përmbytën gjithçka, por pse Zoti u tregua i pa anshëm përballë turqve…
Edhe kësaj here humbën grekët. Deri para 30 vjetësh, grekët talleshin me turqit, madje talleshin edhe me amerikanët. Por sa herë ata në Anadoll lëviznin ‘bishtin e balenës’ diku në Egje apo në Mesdhe, grekët i drejtoheshin Zotit me lutje për drejtësi. “O zot, na mba larg sulmit turk; ne grekët tani jemi bërë të pasur’, dhe sipas tyre do të ishte mëkat i madh që disa të varfër të sulmonin njerëzit e pasur. Prapë dallimi që shfaqet te grekët me 12 zota.
Mirëpo asnjëherë nuk ndodhi gjë, përveç disa gërvishtjeve në bojën e anijeve luftarake.
Kësaj here fatkeqësia e Natyrës, që askush nuk do ta donte, i bëri të barabartë turqit e grekët. Në të dy pikat e Bizantit, Zoti u dëshmua i pa anshëm mes zinxhirit e fukarait.
Tani në Athinë, me siguri, do të nisë debati ‘sokratik’ i vuajtjes me temë “Pse vetëm ne bizantinët e Lindjes po sulmohemi nga Qielli?”. Fjalën e çojnë në pikën perëndimore të Bizantit, në Durrës.
Sivjet Zoti i dha Durrësit e gjithë bregdetit shqiptar atë begati që dikur e kishin pasur Kostandinopoli, Selaniku, Jerusalemi, Bejruti, Damasku etj. Turizmi shqiptar e bëri botën të kthejë sytë andej nga nuk i kishte pasur që në periudhën e shkëlqimit të qytetit të vogël turk, Bizant. Aq më keq, që Zoti nuk u lëshoi stuhi, rrufe dhe përmbytje këtyre ‘skipëtarëve të dreqit’. Padrejtësi e Zotit që nuk i sulmoi shqiptarët.
Padrejtësinë e Perëndisë do ta korrigjojnë njerëzit, qeveritarët e vendeve të përmbytura këtë herë. Grekët kanë hyrë në një marrëdhënie më të afërt me turqit për një ‘casus belli’ që të sulmojnë shqiptarët që nga Brukseli deri në Tiranë. Në vend të kokës së Daut Hoxhës, në Luftën e ‘40- ës, këtë herë grekët kanë marrë në dorë kokën e Fred Bejlerit- të dy myslimanë që përdoren në favor të ortodoksëve. Greqia kërkon të vendosë ‘veton’ mbi Drejtësinë shqiptare dhe mbi territorin e Himarës- si fillim. Për këtë ka kërcënuar shtetin shqiptar që para ‘hakmarrjes së Olimpit’.
Ndërsa tani, me rastin e barazimit turko- grek, shqiptarëve u shtohet edhe një ‘mallkim’ tjetër. Grekët do të akuzojnë Zotin për hir të shqiptarëve, pse Zoti nuk hodhi stuhi këtu. Pastaj mund të akuzojnë shqiptarët pse ‘na morët Olimpin në vend të Himarës’…
Padrejtësia gjendet kudo për atë që nuhat aromë Padrejtësie.