Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të mërkurën përpara një votimi mbi një projekt-rezolutë që dënon pushtimin rus të Ukrainës, u bëri thirrje ushtarëve rusë që të lënë armët e tyre.

“Sot ne qëndrojmë së bashku për të njohur Rusinë përgjegjëse për shkeljet e saj të ligjit ndërkombëtar dhe për të adresuar krizën e tmerrshme të të drejtave të njeriut dhe humanitare që shpaloset para syve tanë”, tha ajo.

“Protestuesve rusë u them faleminderit. Faleminderit për guximin tuaj”, vazhdoi Thomas-Greenfield.

Ushtarët rusë të dërguar në vijën e parë të një lufte të padrejtë, të panevojshme, unë u them se liderët tuaj po ju gënjejnë, mos bëni krime lufte, bëni gjithçka që mundeni për të ulur armët dhe për t’u larguar nga Ukraina.

Thomas-Greenfield e mbylli fjalimin e saj duke u kërkuar vendeve anëtare të “votojnë po nëse besoni se Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj”.