Sot është dita e tretë e samitit të NATO-s që po zhvillohet në MadridNë fokus të diskutimeve mësohet se është lufta në Ukrainë dhe ndihma që do të japin vendet anëtare të aleancës për Kievin

Ndërkohë që Kryeministri Rama ka përfituar nga ky samit i rëndësishëm i vendeve aleate për të biseduar me krerët e Bashkimit Evropian, mbase edhe për çështjen më thelbësore të javëve të fundit, atë të çeljes së negociatave. Rama ka paralajmëruar një lajm të mirë.

“Mbase sot lajmi i mirë…”, shkruan Kryeministri krah videos, ku duket duke biseduar veçanërisht me Presidentin Bullgar Rumen Radev.

Kujtojmë se Rama nuk i ka kursyer kritikat ndaj Bullgarisë për veton, ku është shprehur se po mban peng dy vende të NATO-s.

Gjatë ditës së sotme pritet që sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg të dalë në një konferencë për shtyp në orën 11:15. Ndërkohë në 11:45 do në dalë në një konferencë kryeministri britanik Boris Johnson, që do të pasohet nga një konferencë e presidentit të SHBA-ve, Joe Biden e më pas presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

Në samitin që u mbajt një ditë më parë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelesnky iu drejtua liderëve me një video mesazh ku kërkoi më shumë armë nga aleanca, ndërsa paralajmëroi se lufta e Vladimir Putin nuk do të përfundojë në Ukrainë.

Presidenti amerikan Joe Biden, tha se do të rrisë dislokimet ushtarake, Gjermani dhe Itali. Mbretëria e Bashkuar njoftoi se do të japë 1 miliard paund ndihmë ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe dronët pa pilot.

NATO premtoi gjithashtu të dërgojë 1000 trupa shtesë në Evropën Lindore dhe të trajnojë ushtarë ukrainas.