“Nëse Maqedonia e Veriut nuk e pranon propozimin francez, Shqipëria do të vazhdojë e vetme rrugën e integrimit evropian. Mendoj se është e drejtë, por shpresoj që kjo të mos jetë e nevojshme”.

 Kështu deklaroi kryeministri holandez, Mark Rutte, pas takimit me kryeministrin shqiptar Edi Rama, në Holandë.

Mediat holandeze shkruajnë se Rutte shprehu optimizëm se Maqedonia e Veriut do ta pranojë propozimin dhe nuk do të ketë nevojë që të dy vendet të ndahen në rrugën e tyre drejt BE-së.

“Gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Bashkimi Evropian konfirmoi angazhimin e tij. Për sa i përket vërejtjes së Edi Ramës më pas, mendoj se ai kishte të drejtë – takimi nuk ishte një sukses”, tha ai.

Sipas kryeministrit holandez, vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, po punojnë fort për t’u anëtarësuar në BE.

“Këtu problemi është Maqedonia e Veriut dhe, falë përpjekjeve të Francës, ka një moment të ri në procesin e anëtarësimit që prek edhe Shqipërinë, kështu që të dy vendet, të paktën politikisht, janë të lidhura. Ne mbështesim propozimin francez, pasi ofron zgjidhje për të gjitha shqetësimet e mbetura”, theksoi Rutte.

Gjithashtu, ai ravijëzoi se BE-ja e mbështet Maqedoninë e Veriut në hapat e saj të ardhshëm nëse pranon propozimin francez.

Sipas tij, caktimi i datës për mbledhjen e parë ndërqeveritare do të jetë një shpërblim për qeverinë shqiptare të Edi Ramës dhe për reformat e kryera prej tij.

Nga ana e tij, Edi Rama vlerësoi angazhimin e Holandës dhe falënderoi Mark Rutte për nxitjen e procesit të anëtarësimit në BE.

Të dy kryeministrat mbështetën idenë e krijimit të një komuniteti të ri politik, madje Rutte foli për një nismë shqiptaro-holandeze për të udhëhequr procesin.