Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria do të bëjë reformën e strukturës së pagave, të cilën e konsideroi si reformën më të rëndësishme.

Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Rama u shpreh se pagat do të rriten për sektorin publik dhe kjo sipas tij, do të ketë impakt të drejtpërdrejt në sektorin privat.

“Është një rritje pagash që në fakt është ndryshe nga rritjet e tjera të pagave që kemi bërë më parë, sepse është një reformë e gjithë strukturës së pagave të Republikës së Shqipërisë. Është rezultati i reformave, i përpjekjeve, ndryshimeve që kanë ndodhur. Pse ne kemi akoma paga më të ulta se të tjerët në rajon? Pikërisht sepse pagat nuk rriten sipas qejfit, pagat rriten në raport me mundësitë për të garantuar pagimin e tyre në një proces që është i përhershëm. Duke qenë se ne i kemi hedhur bazat dhe i kemi sot mundësitë, ne do të bëjmë reformën më të rëndësishme, që është reforma e të gjithë strukturës së pagave. Pra, pagat do të rriten për të gjithë. Jo vetëm do të rriten për të gjithë në sektorin publik, por kjo reformë do të impaktojë drejpërdrejt sektorin privat”, theksoi ai.