Moska përdori presidencën e saj të radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të organizuar një takim jozyrtar mbi fëmijët ukrainas të deportuar me forcë në Rusi, duke u mbrojtur kundër një akuze që Gjykata Penale Ndërkombëtare e cilësoi si një krim lufte.
Për këtë arsye, përfaqësuesit diplomatikë të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, u larguan nga salla, ndërsa komisionerja ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, foli përmes një lidhje ‘Skype’.
Lvova-Belova argumentoi se Moska është e gatshme të bashkëpunojë për ribashkimin e fëmijëve ukrainas me familjet e tyre.
“Nuk kemi dyshime se kjo është një fushatë për të diskredituar vendin tonë”, tha ajo.
Mes vendeve që braktisën seancën, ishte edhe Shqipëria dhe për këtë situatë, Ambasada shqiptare në OKB, ka bërë me dije se ishte vepruar në këtë mënyrë pasi kjo mbledhje e organizuar nga Rusia është një provokim në kushtet kur Gjykata Ndërkombëtare Penale ka ngritur akuza penale ndaj rusëve për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas.