lir Meta dhe Monika Kryemadhi janë tronditur sërish nga Prokuroria Speciale. Pas hapjes së dosjes për lobimet në SHBA, SPAK ka nisur hetimet edhe për ndërhyrjet estetike të çiftit të Partisë së Lirisë.

Ishte avokati Idajet Beqairi, ai i cili pak ditë më parë bëri një padi në SPAK, duke akuzuar Metën dhe Kryemadhin se kanë shpenzuar qindra mijëra euro për ndërhyrje estetike dhe paratë nuk i kanë deklaruar, sikundër e kërkon ligji.

Sipas padisë, Monika Kryemadhi ka kryer ndërhyrje në San Marino, ndërsa Ilir Meta në Austri. Për këtë arsye, mësohet se Prokuroria e Posaçme ka dërguar letër-porosi në San Marino dhe në Austri, duke kërkuar informacione mbi pretendimet e avokat Beqirit. Ndërkohë mësohet se një letër-porosi do të dërgohet dhe në Qipro. Kjo pasi fatura e ndërhyrjeve estetike tregon se pagesa ka ardhur nga një bankë në Qipro.

Sipas padisë së avokatit, rezulton se, në shtetin e San Marinos, ekziston një spital/klinikë private e quajtur “Casa di Cura Privata Domus Medica”, me adresë “Strada Genghe di Atto, 101 Acquaviva RSM”. Në këtë spital kryhen kryesisht trajtime dhe ndërhyrje estetike nga persona “VIP” të botës së artit, sportit, shoë biz-it por jo vetëm. Ky spital është frekuentuar dhe nga dyshja Meta-Kryemadhi.

Spitali privat i lartpërmendur njihet si një nga më të kushtueshmit dhe ka staf të përbërë me mjekë të ndryshëm të cilët ndjekin pacientët e këtij spitali. Ky spital njihet jo vetëm për mjekët shumë të kualifikuar, por edhe për tarifat që aplikon për pacientët e saj, të cilat janë tepër të larta. Nga kërkimet e bëra, më rezulton se personazhe të cilët kanë marrë trajtimet e këtij spitali janë edhe Ish Presidenti i Republikës se Shqipërisë, z.Ilir Meta, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Monika Kryemadhi dhe fëmijët e tyre. Një prej mjekëve të këtij spitali është dhe shtetasja Silva Shametaj/Ruli. Sipas investigimeve të bëra, mjekja Silva Shametaj është mikeshë personale e Monika Kryemadhit dhe llir Metës (kjo lidhje dhe fakte të tjera do të vërtetohen nga materialet bashkëlidhur këtij kallëzimi), si dhe personi që ka ndjekur kryesisht ndërhyrjet dhe trajtimet që shtetasit Monika Kryemadhi, llir Metaj dhe fëmijët e tyre kanë bërë pranë këtij spitali. Ashtu siç evidentohet qartazi nga fotografitë, rezulton se, shtetasja Monika Kryemadhi ka bërë ndërhyrje të shumta estetike dhe sipas informacioneve që disponoj, një pjesë janë bërë në spitalin “Casa di Cura Private Domus Medica” në San Marino”, thuhet në padi.

Duhet theksuar se pak ditë më parë, SPAK dërgoi një letërporsi në SHBA, pas një padie të ish-deputetit Halit Valteri. Ky i fundit pretendon se LSI ka shpenzuar 700 mijë dollarë për lobime në Uashington dhe paratë nuk janë deklaruar. Sipas burimeve, dosja e lobimeve dhe ajo e ndërhyrjeve estetike mund të bashkohen në një. Kjo do të thotë se Ilir Metën e presin telashe të mëdha.