Delegacioni shqiptar, pranë Këshillit të Sigurisë në OKB, ka konfirmuar thirrjen e një mbledhjeje urgjente për agresionin rus kundër Ukrainës.
“Agresioni i vazhdueshëm kundër Ukrainës vazhdon të shkaktojë shkatërrime të pamasë dhe vuajtje njerëzore”, deklaron delegacioni shqiptar.
“Rusia po kryen krime lufte dhe po synon civilët. Lufta e paligjshme e Rusisë kundër Ukrainës është një kërcënim për të gjithë ne”, shkroi në Twitter misioni i përhershëm i Britanisë në OKB.
Kërkesa erdhi pasi lufta e Rusisë kundër Ukrainës hyri në javën e tretë.
Të paktën 726 civilë janë vrarë dhe 1 mijë e 174 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës, sipas OKB-së.
Më shumë se 3 milionë njerëz kanë ikur gjithashtu në vendet fqinje, tha agjencia e OKB-së për refugjatët.
Vendimi i ICJ-së
ICJ-ja vendosi të mërkurën e 16 marsit – pas një kërkese urgjente të Ukrainës – që Rusia të ndalte urgjentisht pushtimin e saj.
Me 13 vota pro dhe dy vota kundër, Federata Ruse do të duhet t’i pezullojë menjëherë operacionet ushtarake që filloi më 24 shkurt.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt, ky është vendimi i parë i tillë i dhënë nga një gjykatë ndërkombëtare.
Kiev-i zyrtar akuzon Moskën për përpjekje të paligjshme për të justifikuar luftën.
Përfaqësuesi i Ukrainës, Anton Korynevych, kërkoi që ICJ-ja të urdhëronte Rusinë për “të pezulluar menjëherë operacionet ushtarake”.
Rusia vazhdoi duke thënë se “po vepronte në vetëmbrojtje” për të justifikuar pushtimin e saj në Ukrainë.