Një aksion i zhvilluar mes Policisë së Shtetit Shqiptar, Prokurorinë e Tiranës mes Njësisë së Hetimit Kriminal të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Departamentit të Shtetit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ço në pranga 5 persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Nga ky aksion u zbulua skema e mashtrimit të vizave amerikane si edhe kontrabandimit të qenieve njerëzore.
Lidhur më këtë operacionit ka reaguar edhe ambasada e SHBA ne Tiranë, duke falënderuar autoritetet shqiptare për bashkëpunimin.
“Ambasada e SHBA falënderon Policinë e Shtetit Shqiptar dhe Prokurorinë e Tiranës për bashkëpunimin me Njësinë e Hetimit Kriminal të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Departamentit të Shtetit të Departamentit Amerikan të Shtetit, që çoi në arrestimet e sotme”, thuhet në reagim.
Mesazhi i plotë:
Ambasada e SHBA falënderon Policinë e Shtetit Shqiptar dhe Prokurorinë e Tiranës për bashkëpunimin e tyre me Njësinë e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Departamentit të Shtetit të SHBA, i cili çoi në arrestimet e sotme.
Vlerësojmë thellësisht partneritetin tonë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, Drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale Neritan Nallbati, Drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës Arenc Çela, prokurorin e çështjes Drini Pali dhe oficerët e përkushtuar të Policisë së Shtetit.
Njësia e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar u krijua pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë në vitin 2012 dhe është përgjegjëse për kryerjen e hetimeve penale në lidhje me lëshimin ose përdorimin e paligjshëm të pasaportave ose vizave; vjedhjet e identitetit dhe/ose mashtrimin me dokumente që prekin ose lidhen me programet, funksionet ose autoritetet e Departamentit të Shtetit të SHBA, si dhe krimet që lidhen me terrorizmin, trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandën e qenieve njerëzore dhe lloje të tjera të krimit të organizuar ndërkombëtar.
Ambasada e SHBA është e përkushtuar të hetojë dhe të punojë me partnerët tanë për të ndjekur penalisht ata që kryejnë mashtrime me viza.
Ambasada e SHBA u bën thirrje të gjithë aplikantëve për viza që të dorëzojnë aplikimet e tyre elektronike për vizë vetë dhe jo përmes “të ashtuquajturave” agjenci udhëtimi, konsulentëve të vizave ose kompanive të tjera që ofrojnë shërbime për viza. Aplikantët për viza duhet gjithashtu të tregojnë kujdes në lidhje me mashtrimet në platformat e mediave sociale që pretendojnë se garantojnë viza amerikane.