4,646 metra katrorë ndërtime pa leje në mes të Tiranës, i kalojnë shtetit me kontratë noteriale.
“Kush merret me mua e me ne duke na treguar si ata që fshihen pas kullave e pas pallateve, le ta shohë mirë të vërtetën ose le të vazhdojnë të lehin, por unë i siguroj të gjithë ata që duan një Shqipëri të drejtë e që duan një Shqipëri ku ligji të jetë njësoj për të gjithë e të mos ketë të fortë para ligjit, se nuk do t’i tradhtoj kurrë”, tha ai përmes një videomesazhi.
Më herët, Rama ka paralajmëruar se do të ketë një ashpërsim të vendimit për konfiskimin e ndërtimeve pa leje. Ai ka njoftuar se do të vendosen kontrolle të detyruara çdo 45 ditë.
Kjo në mënyrë që ndërtuesit të mos “hedhin” më kate pa leje.
“Do ta shtrëngojmë akoma më shumë ligjin, do vëmë kontrolle të detyra çdo 45 ditë në mënyrë që katet të mos hidhen dhe pastaj kur shikohet është vonë. Ky do të jetë mësim i mirë për të gjithë ata që do të dalin të implikuar në këtë histori”.
Sipas tij, më e rëndësishmja është se ky operacion do shtrihet në të gjithë Shqipërinë.
Numri Një i Qeverisë tha se Tirana ka problematikën më të vogël, ka zona të tjera që kanë problematikë më të madhe në raport me sipërfaqen që kanë.
“Kur filluam tu vëmë fre ndërtimeve pa leje, nuk kishte asnjë pallat të vetëm pa shtesa. Ndërkohë që sot janë pak”.
Nga ana tjetër, ditë më parë, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku informoi se ndërtuesit mund t’i parablejnë “shtesat pa leje” me një çmim të indeksuar mbi çmimin real të tregut dhe paratë e përfituara do të derdhen në fondin e shpronësimeve të Unazës së Re ose mund t’i dhurojnë.
Kjo që të përdoren si apartamente për strehim social apo mjedise zyrash për institucionet.
Ndërkohë për të gjitha rastet ka edhe një gjobë për çdo metër katror dhe për rastet kur ndërtuesi nuk pranon opsionet parablerje apo dhuratë që çojnë në ligjërimin e shtesave për arsye sociale, ai ndiqet edhe penalisht sipas ligjit.
Ajo shtoi se të gjitha ndërtesat që kanë këtë lloj specifike do të konfiskohen për përdorim publik.
Sipas saj, për çdo ndërtesë, e cila tashmë rezulton se ka shkelur lejen apo për çdo ndërtesë pa leje, do të ketë investigim për ato institucionet që kanë si detyrë kontrollin e territorit.