Mediat maqedonase kanë raportuar fjalët e ambasadorit të Bullgarisë në Bashkimin Evropian, Rumen Aleksandrov, se vetoja e autoriteteve bullgare ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk do të hiqet dhe Shqipëria duhet të vlerësohet “e pavarur”.
Deklarata e Aleksandrov erdhi pas një takimi të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së.
Diplomati bullgar shtoi se Shqipëria duhet të vlerësohet e pavarur nga Maqedonia e Veriut, bazuar në arritjet e saj.
Përparimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është bllokuar për shkak të vetos së Bullgarisë për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut.
“Fatkeqësisht, Republika e Maqedonisë së Veriut ende nuk i mbulon kriteret për zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare”, tha ndër të tjera Aleksandrov.
Aleksandrov gjithashtu vuri në dukje se Bullgaria ka propozuar disa opsione për tejkalimin e çështjeve me Maqedoninë e Veriut.
Mundësitë lidhen me të drejtat e shtetasve me kombësi bullgare, si dhe me zbatimin e traktatit të miqësisë të nënshkruar mes dy shteteve.
Reagimi i zyrtarëve maqedonas
Marrëdhëniet e mira me Bullgarinë dhe perspektiva evropiane për RMV-në nuk kanë alternativë, tha më herët ministri i Jashtëm, Bujar Osmani në një intervistë për Agjencinë BGNES.
I pyetur se çfarë do të bëjnë autoritetet maqedonase pas riafirmimit të qëndrimit negativ të Bullgarisë, Osmani theksoi se për çështjet politike, do të kërkohet një zgjidhje në të ardhmen.
“Ne presim që bisedimet të fillojnë kur të formohet qeveria në Bullgari. Mendoj se në dhjetor ka shumë mundësi që të gjendet një zgjidhje, sepse me Bullgarinë nuk kemi alternativë tjetër përveç marrëdhënieve të mira fqinjësore”, tha zyrtari maqedonas.
Osmani theksoi se nuk ka alternativë tjetër përveç perspektivës së përbashkët evropiane.
“Shpresojmë”, nënvizon ai, “që ky stabilitet politik në të dyja vendet të japë rezultate”.
Qëndrimi amerikan
Bullgaria duhet të arrijë një “zgjidhje përfundimtare” të mosmarrëveshjes me Maqedoninë e Veriut, në mënyrë që ajo, së bashku me Shqipërinë, të fillojnë bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian “para fundit të vitit”.
Ky ishte apeli i dy anëtarëve të Komitetit të Politikës së Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Claudia Teni (Republikane) dhe William Keating (Demokrat), drejtuar ambasadorit të Sofjes në Washington, Tihomir Stoychev.
Letra e shkurtër nuk jepte detaje se si mund të ndodhte kjo, por shkonte në një linjë me komentet e zyrtarëve amerikanë dhe evropianë në muajt e fundit.
Sipas tyre, anëtarësimi në BE i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë kanë një rëndësi të madhe për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajonin e Ballkanit dhe për të gjithë komunitetin transatlantik.
“Ne po ju shkruajmë sot si anëtarë të partive të ndryshme të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, për t’ju bërë thirrje që të arrini një zgjidhje përfundimtare për këtë mosmarrëveshje dypalëshe, e cila do t’i lejojë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të fillojnë bisedimet e anëtarësimit përpara fundit të vitit”, shkruhej më tej.
Mundësi konkrete
Kjo detyrë është e vështirë për t’u realizuar.
Deri në fund të vitit kanë mbetur më pak se gjashtë javë dhe në Bullgari nuk ka ende një qeveri të rregullt.
Shkupi zyrtar do të paraqitet në Këshillin Evropian në mes të dhjetorit apo edhe më vonë gjatë muajit janar.
Autoritetet maqedonase do të kenë mundësinë që të vërtetojnë përparimin e mundshëm të tyre për heqjen e vetos.
Megjithatë, edhe nëse ka progres, udhëheqësit evropianë mund të miratojnë vetëm një datë për Konferencën e parë Ndërqeveritare, që nuk ka gjasa të jetë para festave të Krishtlindjeve.